Marrëdhënia seksuale paramartesore është një temë tabu në shumë zona rurale në mbarë Kosovën. Pak prindër diskutojnë me fëmijët e tyre për marrëdhënien seksuale, e sidomos me bijat e tyre. As sistemi shkollor publik nuk siguron edukim të mjaftueshëm seksual.
Prandaj, mes gushtit dhe nëntorit, OJQ Bliri ndërmori iniciativën për të ftuar mjekë të cilët mund t’ua shpjegonin vajzave se si të mbrohen nga shtatzënia e hershme, në mesin e çështjeve të tjera të shëndetit riprodhues. Gjithsej 740 nëna dhe vajza kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në këto diskutime. Disa prej tyre asnjëherë më parë nuk kanë pasur mundësi t’i diskutojnë këto tema së bashku.
“Ne e kemi ngritur vetëdijen e grave që nuk kanë shkuar kurrë në shkollë dhe që kurrë nuk kanë marrë pjesë në trajnime të tilla më parë,” tha Mahije Ismajli, Drejtoreshë e Blirit. Prandaj, ajo e konsideronte këtë nismë të suksesshme.
Gjatë këtyre takimeve, gratë gjithashtu kanë mësuar se si të bëjnë vetë-kontrollimin për të identifikuar kancerin e gjirit në fazat e hershme.
“Jeta është fat,” tha një pjesëmarrëse. “Njeriu kurrë nuk mund ta dijë nëse do të ketë kancerin e gjirit ose jo. Prandaj, është shumë mirë që tani e di se si t’i kontrolloj gjinjtë e mi për të parandaluar kancerin e gjirit.”
Bliri planifikon një hulumtim në lidhje me gjendjen shëndetësore dhe nevojat e grave dhe vajzave në rajonin e tyre. Ata do ta përdorin këtë hulumtim për t’i njoftuar me rekomandimet e tyre institucionet si dhe akterët e tjerë.
Nisma e Blirit ka marrë mbështetje nga Fondi i Grave të Kosovës (€2,500).