CMZ prezanton raportin mbi cilësinë e procesit zgjedhor lokal

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Centar Manjinske Zajednice (Shqip: Qendra e Komunitetit Pakicë), më 25 shkurt ka prezantuar raportin mbi cilësinë e procesit zgjedhor në komunat Graçanicë, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Rahovec, në kuadër të nismës “Unë kam të drejtë të informohem!”, të mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK-së.

Gjatë këtij aktiviteti është diskutuar për projektin, raportimet nga mediat online për zgjedhjet lokale të vitit 2021, si dhe vlerësimin e përgjithshëm të ditës së mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Raporti i cili u përpilua përgjatë periudhës 16 shtator-16 dhjetor 2021 është bërë në vazhdën e përpjekjes për ngritjen e vetëdijes së zyrtarëve për gjendjen e mediave në Kosovë, si dhe analizon të dhënat e mbledhura nga dita e zgjedhjeve për të kontribuar në rritjen e transaprencës dhe llogaridhënies së institucioneve gjatë procesit zgjedhor. Mediat e analizuara në këtë raport përfshijnë; RTK Live, Radio KIM dhe Radio Graçanica.

CMZ kishte angazhuar vëzhgues të akredituar në këto katër komuna, të cilët monitoruan nga afër procesin që nga hapja e qendrave të votimit e deri te procesi i numërimit me qëllim të regjistrimit të të gjitha parreguëllsive në vendvotimet ku ata ishin të pranishëm.

Ndërsa, përgjatë prezantimit të raportit, të pranishmit, duke përfshirë këtu edhe të rinjtë diskutuan për pikëpamjet e tyre për procesin zgjedhor si dhe mundësitë për përmirësimin ne tij. Ata theksuan se këto media nuk u ofruan atyre informata të mjaftueshme për mënyrën e të votuarit, si dhe vënë në pah nevojën që mediat të ketë liri më të madhe.

Ky aktivitet i CMZ-së është një nga shumë aktivitete të përkrahura nga rundi i 15-të i FGK-së, falë përkrahjes financiare të marrë nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.