Performanca teatrore “Copë Copë” e cila u shfaq në tërë Kosovën kishte për qëllimin ngritjen e vetëdijës së qytetarëve për dhunën ndaj grave. Kjo performancë ishte më ndryshe nga ato të cilat jemi mësuar ti shohim çdo ditë, duke dhënë mesazhin në mënyrën më të mirë të mundshme, e ndërthurur me histori të vërteta të grave nga strehimoret nën dramaturgjinë e Blerta Zeqirit dhe regjinë e Zana Hoxha-Krasniqit, ndërsa luajtën artiste e gra nga strehimoret: Melihate Qena, Dardana Mehmeti, Donikë Ahmeti, Arta Gashi, Albina Kelmendi, Bashkime Sulejmani dhe Minire Bujupi. Ato ndanë me publikun copëza nga përjetimet dhe jeta e tyre.
“Unë jam e kënaqur që kam mbërritur në këtë proces, kam punuar edhe më herët shfaqje që kanë trajtuar fatin e gruas, qoftë në luftën e fundit, ku gratë kanë qenë viktima të dhunës seksuale, qoftë të dhunës në familje ose dhunës në forma të ndryshme psikologjike, dhunës si presion,” ka thënë për KultPlus Zana Hoxha-Krasniqi autore dhe regjisore e kësaj shfaqje.
Ndërsa aktorja Melihate Qena ka thënë se ishte hera e parë që pati barrën të sjellë një rrëfim të vërtetë. “Qëllimi i kësaj shfaqjeje është që gratë të flasin hapur. T’i tregojnë ato përjetimet e veta. Mënyra se si ato i tregojnë, s’mund ta bëjë asnjë artist. Ne vetëm tentojmë, pasi kjo e jona është artificiale, ndërsa e tyrja është origjinale dhe u del nga shpirti”, ka thënë Qena.
Të gjitha ata që nuk patën mundësi të ndjekin premierat e shfaqjes, ajo u rishfaq edhe një herë në shumicën e teatrove të qyteteve të vendit, dhe interesimi ishte jashtëzakonisht i madh.