Demolli: Dekada aktivizëm na treguan se uniteti mes grave është vlerë kundrejt realitetit që na rrethon
Këtë muaj, RrGK sjell profilin e aktivistes për të drejtat e grave, Drejtores Ekzekutive të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), Luljeta Demolli.
Qe nga viti 2004, Demolli ka qenë e përfshirë si hulumtuese, menaxhere e më pas Drejtore e QKSGJ-së- rrugëtim e aktivizëm ky i cili sipas saj është ndërtuar pikërisht nga etika dhe edukimi feminist.
Në këtë bisedë me RrGK-në, Demolli flet për punën e saj si aktiviste, atë të QKSGJ-së, si dhe të bashkëpunimit të rëndësishëm ndërmjet QKSGJ-së dhe RrGK-së për fuqizimin e lëvizjes feministe në Kosovë- dhe atë në më shumë se një kahje të vetme.
Historiku i QKSGj-së
QKSGJ, si organizatë e cila për mision ka integrimin e perspektives gjinore në të gjitha analizat, programet dhe politikat e të gjitha sektorëve të shoqërisë kosovare, ka qenë e zëshme në nivel qendror dhe lokal që nga themelimi i saj në prodhimin e dijeve të kontekstualizuara feministe, dokumentimin e historisë së aktivizmit politik të grave, si dhe nxitjen e aktivizmit feminist ndër gjeneratat e reja.
“Misionet e organizatave siç është QKSGJ-ja, përveç që janë jetike për zhvillimin e dialogut social ndërmjet grave dhe aktivisteve, ato janë edhe të ndryshojnë status quo-në politike e cila shkon në dëm të grave dhe grupeve tjera të paprivilegjuara.”, thotë Demolli në fillim të bisedës me RrGK-në.
QKSGj, njëherësh organizatë anëtare e RrGK-së, ka pasur rol jetik në promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, si dhe ka qenë e mbetet mbrojtëse e lëvizjes së grave në angazhim, përkundër sfidave të cilat kanë qenë reagime të pritshme nga kultura dhe institucionet mbizotëruese patriarkale.
“Kemi krijuar një adresë e cila përveç që mirëpret aktiviste, po ashtu nxitë dhe promovon të menduarit feminist, solidaritetin dhe angazhimin politik për ta ndryshuar situatën socio-ekonomike dhe politike të grave.”
Kurse, teksa flet për rrafshin personal si aktiviste, Demolli vlerëson se kjo përvojë përveç që e ka sfiduar, gjithashtu edhe e ka formësuar edhe më shumë atë si feministe.
QKSGj dhe RrGK: Së bashku për të drejtat e grave
Në këtë pjesë, Demolli i jep rëndësi të veçantë bashkëpunimeve e avokimeve që ndër vite u ndërmorën bashkë me RrGK-në.
Ajo përmend disa sosh.
“Si anëtare të RrGK-së për vite me radhë jemi bashkuar në disa nisma tejet të rëndësishme për vendin. Njëra nga to që do ta ndaja për këtë artikull është avokimi për të pasur leje prindërore 50/50 në Ligjin e Punës. Ky aktivitet ka zgjatur me vite dhe ende vazhdojmë të avokojmë së bashku. Bashkëpunimi ka qenë edhe në shumë tema të tjera të barazisë gjinore, gjë që e ka forcuar rolin tonë në avancimin e të drejtave të grave dhe në njohjen e këtyre temave nga autoritetet lokale dhe kombëtare.”
Ajo sjell nder mend se QKSGj dhe RrGK qëndrojnë si aktorë kryesorë për të luftuar diskriminimin ndaj grave dhe vajzave në vend.
Ky bashkëpunim i deritanishëm, vlerëson ajo, është duke dhënë sinjale që të dy organizatat duhet ta përqendrojnë bashkëpunimin në strategjitë për të reaguar më shumë edhe ndaj temave tabu të cilat prekin të drejtat e grave. Kjo pa marrë parasysh sa sfiduese do të jenë këto tema në Kosovë.
Ndër to; ngacmimi seksual, aborti selektiv me bazë gjinore, dhunimet seksuale – me theks të veçantë te vajzat e reja 13-15 vjeçare.
Sipas Demollit, një dimension tjetër i cili duhet çdo herë e më shumë të përbrendësohet brenda kauzës feministe, si në nivel organizatash dhe të lëvizjes është çështja e personave LGBTI+.
Së fundi, si pjesë e nismës “Avancimi i të drejtave të grave në punë”, QKSGJ është përkrahur nga RrGK për ta realizuar nismën “Parandalimi i çdo forme të diskriminimit në vendin e punës”.
Ajo pohon se kjo nismë përveç se u ka mundësuar ta thellojnë hulumtimin mbi pozicionimin e grave në ekonomi, gjithashtu u ka ofruar edhe hapësirë për ta vazhduar dhe avancuar avokimin me institucionet.
“Këto intervenime, ndër të tjera, kanë kontribuar që të bashkëpunojmë me institucione dhe të organizata tjera të cilat merren me fusha të ngjashme dhe t’i koordinojmë aktivitetet dhe punën me qëllim të avancimit të situatës në terren për gratë në tregun e punës.”
Dekada aktivizëm na treguan se uniteti mes grave është vlerë kundrejt realitetit që na rrethon
Duke sjell ndër mend arritjet e bëra nga organizatat për të drejtat e grave, Demolli vë theksin edhe te ato çështje që ende mbesin vështirësitë kryesore për gratë në Kosovë.
“Ne si QKSGj sjellim dy sfidat kryesore, ritmin e ngadaltë të zbatimit të ligjeve dhe praninë e madhe të dhunës ndaj grave dhe të ngacmimit seksual.”, shton ajo.
Në përmbyllje të këtij artikulli, Demolli thotë se “përvoja e këtyre dy dekadave ka treguar se uniteti mes grave është vlerë kundrejt realitetit që na rrethon”.
“Ne nuk duhet të pyesim kush është “më shumë” ose “më pak” feministe. Ne duhet të pyesim a janë qëllimet tona të dobishme për kauzën tonë feministe.”, thotë ajo.
*Ky artikull është në vazhdën e serisë së publikimeve të RrGK-së për punën dhe kontributin e aktivistëve për të drejtat e njeriut në Kosovë.
LEXO EDHE:
Krasniqi: RrGK përçon një mesazh të rëndësishëm- atë të fuqisë së grave
Aktivistja Lokaj: Falë RrGK-së krijuam partneritete për arritjen e barazisë gjinore