RrGGK, e mbështetur nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), shënoi Ditën Ndërkombëtare të gruas përmes aksionit në rrugë “Dhuro Jetë: Dhuro Gjak”. Më 8 Mars, në mes orës 12:00 dhe 15:00, 37 burra dhe gra dhuruan gjak në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë.
Shënimi i 8 Marsit me një protestë ose aksion është bërë traditë vjetore për RrGGK. Anëtaret e RrGGK vendosën që avokimi i RrGGK-së këtë vit do të fokusohet në çasjen e grave në shërbime shëndetësore kualitative. Qytetarët u ftuan që të dhurojnë gjak (në vend të dhurimit të luleve), duke ndihmuar sistemin e dobët shëndetësorë të Kosovës.
Muzika luhej zëshëm gjithandej sheshit dhe njerëzit që kalonin aty mund të lexonin banerin (e mësipërm) me moton e ngjarjes: “Dhuro Jetë: Dhuro Gjak.” Qytetarët dhuruan gjak, duke i dhuruar në këtë mënyrë dhuratën e jetës njerëzve në nevojë.
Gratë poashtu sollën me vete anëtarët e familjeve të tyre. “Pasi që gjendja ime shëndetësore dhe mosha nuk më lejon të dhurojë gjak, kam sjellur me vete sot dy djemtë e mi.” tha Fatima Zatriqi, nga Mitrovica Veriore. “Ata mund të dhurojnë gjak dhe të ndihmojnë gratë kosovare.”
“Unë dhuroj gjak rregullisht dhe pasi që kjo është një ditë simbolike për gratë, jam këtu për të shënuar këtë ditë dhe për të shpëtuar jetën e dikujt.” shtoi Nexhati, njëri nga djemtë e Fatimas.
Njerëz të tjerë ndaluan nga rruga e tyre e përditshme përmes Sheshit Nëna Terezë, duke ndaluar për të dhuruar gjak.
“Jam studente dhe kaloj në këtë rrugë kur kthehem nga universiteti. E pashë që njerëzit po dhurojnë gjak dhe ndalova për të bërë të njëjtën gjë.” tha Iliriana Leci. “Nuk do të më kushtojë asgjë dhe ky gjest human mund të shpëtojë jetën e dikujt.”