“Humbja e punës gjatë shtatzënisë, për shkak të shtatzënisë, sidomos në kohën e krizës globale, është shumë stresuese dhe mund të çojë në probleme ekonomike dhe shëndetësore. Për më tepër, është frustruese që qasja në drejtësi është e shtrenjtë dhe ngadalshme. Unë nuk do të isha e motivuar të nisja procedurën gjyqësore vetë, po të mos ju kisha kontaktuar. Më dhatë motivim, gatishmëri dhe siguri financiare për të nisur procedurën gjyqësore. Mendoj së më shumë nga këto projekte janë të nevojshme në mbështetje të grave që humbin punën për shkak të shtatzënisë”, tha C.J., një nga përfitueset e ndihmës juridike falas nga Komitetit i Helsinkit në Shkup.
Gruaja shtatëzënë është veçanërisht e mbrojtur nga ligji maqedonas i punës. Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës për një punëtore shtatzënë vetëm nëse ajo ka shkelur seriozisht detyrimet kontraktuale dhe vetëm me pëlqimin nga sindikata ose me miratimin nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Pasi kontrata iu ndërpre padrejtësisht, C.J shkoi për të kërkuar ndihmë në Komitetin e Helsinkit.
Komiteti i Helsinkit dhe punëtorja raportuan rastin në Inspektoratin Shtetëror të Punës, i cili kreu hetimin dhe përcaktoi shkeljet e dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës nga punëdhënësi. Ata e urdhëruan punëdhënësin ta kthente punëtoren shtatzënë dhe ta ri-regjistronte atë si të punësuar në Agjencinë e Punësimit dhe Sigurimet e Detyrueshme Sociale.
“Pasi publikuam këtë sukses të kësaj nisme, Komiteti pranoi edhe tetë kërkesa të tjera për ndihmë juridike falas nga punëtoret shtatzëna të cilat kanë përjetuar shkelje të njëjta ose të ngjashme të të drejtave të tyre të punës. Gjatë këtyre kohërave të vështira, Komiteti ngriti vetëdijen për mekanizmat mbrojtës dhe për përmirësimin e qasjes në drejtësi për shumë gra” , tha Pavlina Simonoska nga Komiteti i Helsinkit.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, si një nga organizatat kryesore të shoqërisë civile në vend dhe ofrues i rregullt i ndihmës juridike falas për qytetarët, regjistroi një numër rekord të përfituesve në gjysmën e parë të vitit 2020. Reagimi i organizatës, por edhe mosbesimi në institucionet shtetërore dhe sistemin gjyqësor, kontribuojnë në njohjen e Komitetit si siguri e mbrojtje ku ata do të marrin mbështetje në rast të shkeljeve të të drejtave.
Në gjashtë muajt e fundit, Komiteti i Helsinkit ofroi ndihmë juridike në 33 raste që përfshinin 34 gra punëtore si përfituese, 19 prej të cilëve u regjistruan si diskriminim me bazë gjinore në vendin e punës, si dhe nisi 6 procedura para Inspektoratit Shtetëror të Punës. Rastet përfshijnë mos vazhdimin e kontratave të punës së punëtoreve shtatzëna të lidhura për një periudhë të caktuar kohore, mënyrën dhe kushtet e ushtrimit të së drejtës së pushimit të lehonisë, ushtrimin e së drejtës së pushimit prindëror të papaguar, ngacmimin seksual në vendin e punës dhe shkeljen e masave të qeverisë në lidhje me punëtoret shtatzëna dhe nënat e fëmijëve deri në moshën 10 vjeç të cilat duhet të lirohen nga puna.
Një rast tjetër që e ndihmoi Komiteti ishte ai i punëtores së tekstilit, pjesë e një grupi të cenuar që ka qenë objekt i diskriminimit të vazhdueshëm ndër-sektorial gjatë dekadave të fundit.
Puna e papaguar, kushtet e këqija dhe shkeljet e shpeshta të të drejtave që prekin këta punëtorë, kryesisht gra, janë arsyet kryesore për vëmendjen e veçantë të Komitetit ndaj tyre. Prandaj, avokatët e Komitetit ishin të lumtur për të ndihmuar punëtoren në fabrikën e tekstilit dhe nënën e një fëmije të vogël.
“Paga ime është ulur në mënyrë të paligjshme për 50% sepse u lirova nga obligimet e punës në mënyrë që të mund të kujdesesha për fëmijën tim. Me një pagë prej 120 eurosh nuk mund të mbulonim as shpenzimet themelore. Me ndihmën e Komitetit të Helsinkit, punëdhënësi më pagoi shumën e plotë të pagës për muajt që isha në shtëpi.” Thotë S.A., një nga shumë gratë që Komiteti ndihmoi gjatë kohës së karantinës.
Megjithatë, jo të gjitha rastet kanë zgjidhje të shpejtë. I tillë është rasti i M.S., zyrtares policore që përballet me diskriminim me bazë gjinore në vendin e punës.
“Përgjithësisht dihet se ata nuk duan gra në njësinë speciale në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pasi u ktheva nga pushimi i lehonisë, më caktuan gojarisht të punoja në zyrë dhe më hoqën nga puna në terren. Nuk më lejohet të promovohem ose të rikualifikohem në vendin e punës. Edhe pse të gjithë kolegët e mi të gjeneratës sime janë avancuar në punë, unë dhe një kolege tjetër nuk u avancuam ende. Pasi u ktheva nga pushimi i arsyetuar, më caktuan në një pozitë edhe më të ulët dhe paga ime u zvogëlua për 200 euro.”
Lidhur me këtë rast, Komiteti i Helsinkit i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa për të parandaluar diskriminim e mëtejshëm të grave dhe për t’u mundësuar atyre që të gëzojnë të drejtat në vendin e punës, në kushte të barabarta me burrat.
Kjo nismë u mbështet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) në shumë prej 19,998 €. Ky grant është pjesë e nismës së përbashkët “Avancimi i të drejtave të grave”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar.