Dokument mbi buxhetimin gjinor të donatorëve i diskutuar me ekspertë në Qipro

Rrjeti i Mbikëqyrjes së Buxhetit Gjinor  prezantoi Dokumentin e Punës, Ndriçimi i çështjeve: Deri në çfarë mase financuesit e mëdhenj punojnë në bisedën për buxhetin gjinor?, në Nikosia në Konferencën Evropiane për Buxhetin Gjinor të organizuar nga Platforma e Buxhetimit Gjinor të Qipros më 21-23 mars. Në emër të Rrjetit, Drejtoresha e Programit dhe Hulumtuesja Udhëheqëse e RrGK Nicole Farnsworth prezantoi punimin dhe mori komente nga ekspertë dhe akademikë të angazhuar në buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Duke u mbështetur nga këshillat e tyre, Rrjeti do të rishikojë dokumentin dhe do ta paraqesë atë në Komisionin e ardhshëm të Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave në Nju Jork në mars.

Gjatë konferencës, tre anëtarët e Rrjetit të Mbikëqyrjes së Buxhetit Gjinor që morën pjesë gjithashtu patën mundësinë të dëgjojnë prezantime dhe të mësojnë nga ekspertë të shquar, duke përfshirë Diane Elson, Angela O’Hagan, Elizabeth Klatzer dhe shumë të tjerë.

Përfitimi kryesor nga Konferenca për RrGK ishte rëndësia e sigurimit të synimeve të sistemit tatimor të Kosovës që të përputhen me synimet më të gjera të qeverisë për mirëqenien e qytetarëve. Arritja e mirëqenies nuk duhet të varet vetëm nga transferet dhe asistenca sociale; sistemi tatimor ka gjithashtu mundësi për të çuar më tej mirëqenien. Për shembull, qeveria mund të heqë tatimet mbi të ardhurat për personat në nivelet më të ulëta tatimore, si paga minimale dhe më e ulët, ndërsa mund të rrisë tatimet mbi të ardhurat për personat me paga më të mëdha. Për më tepër, qeveria mund të heqë Tatimet mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet bazë (p.sh. ushqimet, ilaçet, furnizimet higjienike) nga të cilat varen gratë për shkak se taksat e tilla prekin më shumë gratë sesa burrat duke pasur parasysh pagat e tyre relativisht më të ulëta. Në vend të kësaj, TVSH-ja mund të rritet për produktet luksoze. Mësime të tilla të nxjerra nga ekonomistet feministe, të prezantuara në konferencë, janë përdorur për të informuar raportin e fundit të RrGK-së mbi ekonominë informale.

Anëtarët e Rrjetit të Mbikëqyrjes së Buxhetit Gjinor gjithashtu shfrytëzuan Konferencën për të zgjeruar rrjetin dhe bashkëpunimin, duke diskutuar mundësitë për avokim të ardhshëm me rrjete të tjera buxhetore gjinore në Evropë. U diskutuan mundësitë për avokim të përbashkët në të ardhmen në lidhje me Kornizën Financiare Shumëvjeçare të Bashkimit Evropian drejt integrimit të vëmendjes së përmirësuar ndaj buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.

Ky udhëtim u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Suedia si pjesë e mbështetjes së tyre për Rrjetin e Mbikëqyrjes së Buxhetit Gjinor.