Drejtoresha Ekzekutive e RrGGK-së, anëtare e Grupit Këshillues të Kombeve të Bashkuara lidhur me Rezolutën 1325

 Igballe (Igo) Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), mori ftesën nga UN Women në New York që të bëhet anëtare e Grupit të Ekspertëve Këshillues të Nivelit të Lartë për Studimin Global lidhur me implementimin 15 vjeçar të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (RKSOKB) 1325. Studimi përkon me Rezolutën 2122 të Këshillit të Sigurimit, e cila bën thirrje për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që në tetor të vitit 2015 të bëj një rishikim të nivelit të lartë për gratë, paqen dhe sigurinë. Studimi do të shqyrtojë ndikimin thelbësor të punës së arritur në këtë fushë gjatë 15 viteve të fundit, duke përfshirë sukseset, sfidat dhe rekomandimet për të ardhmen për të vazhduar në drejtim të zbatimit të plotë të RKSOKB 1325. Radhika Coomaraswamy, ish-Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijët dhe Konfliktet e Armatosura dhe Raportuese Speciale për Dhunën ndaj Grave, do të jetë autorja kryesore e këtij studimi.
     E miratuar në vitin 2000, RKSOKB 1325 ishte rezoluta e parë e Kombeve të Bashkuara (KB) që adresonte në mënyrë specifike ndikimin unik dhe shpesh herë në disproporcion, të konfliktit të armatosur tek gratë. Në veçanti, ajo bën thirrje për mbajtjen e një perspektive me bazë gjinore në të gjitha proceset e pas konfliktit, programimin e KB-së, dhe të misioneve të Këshillit të Sigurimit, si dhe për të pasur trajnim me bazë gjinore në operacionet e KB-së në mbështetje të paqes. Përveç kësaj, ajo kërkon pjesëmarrje të barabartë të grave në të gjitha përpjekjet për të çuar më tej paqen dhe sigurinë.
     Znj. Rogova ka qenë një avokuese ndërkombëtare dhe vendore për zbatimin e RKSOKB 1325 që nga miratimi i saj në vitin 2000. Menjëherë pas luftës në Kosovë, ajo përdori Rezolutën për të kërkuar më shumë takime mes zyrtarëve të KB-së, vendim-marrësve ndërkombëtarë dhe grave në Kosovë. Znj. Rogova gjithashtu luajti rol të rëndësishëm në krijimin e Koalicionit të Grave për Paqe që bashkoi gratë nga Kosova dhe Serbia të cilat bazuar në Rezolutën 1325 kërkonin të kenë rol në negociatat mes vendeve të tyre, si dhe në krijimin e Lobit Rajonal të Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore.
     Edhe pse Kosova nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të KB-së dhe për këtë arsye nuk mund ta miratojë zyrtarisht Rezolutën, znj. Rogova ka avokuar për më shumë se një dekadë për zbatimin e kësaj Rezolute të rëndësishme në vendin tonë. Në vitin 2014, Kuvendi i Republikës së Kosovës zyrtarisht miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Zbatimin e RKSOKB 1325. Plani i veprimit obligon Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit që të krijojë dhe udhëheqë një Sekretariat ndër-Institucional për të siguruar zbatimin e Rezolutës. 
     Nën udhëheqjen e Rogovës, RrGGK ka publikur disa raporte lidhur me RKSOKB 1325. Në vitin 2007, RrGGK publikoi raportin e titulluar Raporti mbi Monitorimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325 në Kosovë, pasuar nga një botim i dytë në vitin 2009. Në vitin 2011, RrGGK publikoi një raport gjithpërfshirës të titulluar 1325: Fakte dhe Fabula, një përmbledhje rrëfimesh dhe faktesh lidhur me zbatimin e Rezolutës në Kosovë. Publikimi inovativ është përdorur nga North Atlantic Treaty Organization (NATO) dhe specifikisht nga Forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR), në mesin e akterve të tjerë vendor dhe ndërkombëtarë për ngritjen e vetëdijes lidhur me Rezolutën 1325. RrGGK poashtu ka qenë e përfshirë edhe në monitorimin e Zyrës Ndërlidhëse Evropiane të Ndërtimit të Paqes (EPLO)lidhur me implementimin e RKSOKB 1325 në Evropë. 
     Studimi i ardhshëm global do të bëhet duke u bazuar në shqyrtimet e mëparshme të nivelit të lartë, përfshirë rishikimin e dhjetë vjetorit të RKSOKB 1325 në vitin 2010 dhe në Studimin e Sekretarit të Përgjithshëm për Gratë, Paqen dhe Sigurinë të vitit 2002. Fokusi i studimit të ardhshëm do të jetë në identifikimin dhe plotësimin e boshllëqeve të njohurive dhe të të dhënave, dhe ndërtimin e bazës së dëshmive për gratë, paqen dhe sigurinë. Studimi ka për qëllim harmonizimin me iniciativat tjera të mëdha të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë rishikimin 20-vjeçar të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim nga Konferenca e Katërt Botërore për Gratë, si dhe formulimin e Agjendës së Zhvillimit Post-2015. Kjo paraqet mundësinë që studimet dhe rekomandimet e tyre të informojnë njëra-tjetrën dhe të sigurojnë një agjendë koherente, gjithëpërfshirëse për të drejtat dhe barazinë e grave.
     Si anëtare e Grupit Këshillues, znj. Rogova do të ofroj udhëzime nga përvoja e saj e gjerë për autoren udhëheqëse të studimit. 
   Anëtarët e tjerë prestigjioz të Grupit Këshillues të Nivelit të Lartë për Studim Global përfshijnë znj. Madeleine Rees (Mbretëria e Bashkuar); znj. Elisabeth Rehn (Finlandë); Gjeneral-Major Patrick Cammaert (Hollandë); znj. Luz Mendez (Guatemala); znj. Liliana Andrea Silva Bello (Kolumbia); znj. Sharon Bhaghwan Rolls (Fixhi); Ambasadori Anwarul Chowdhury (Bangladesh); znj. Leymah Gbowee (Liberi); znj. Ruth Ochieng (Ugandë); znj. Yasmin Sooka (Afrika Jugore); znj. Alaa Murabit (Kanada/Libi); znj. Maha Abu Dayyeh (Palestinë/Izrael); z. Youssef Mahmoud (Tunizi); znj. Julia Kharashvili (Gjeorgji); znj. Pramila Patten (Mauritius); dhe znj. Bandana Rana (Nepal).