Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Drugëza më 16 shkurt në Skënderaj ka bërë shpërndarjen e broshurave për pronarët e bizneseve dhe punëtorët duke i njoftuar ata me fushatën vetëdijësuese të RrGK-së për rritjen e ndërgjegjësimit mbi politikat e përgjegjshme gjinore për familjen.
[Lexo KËTU më shumë rreth kësaj fushate]
Vullnetarët kanë shpërndarë broshura dhe i kanë vendosur në vende të dukshme të objekteve biznesore.
Gentiana Zeqiri nga Shoqata Artizanale Drugëza tha se nga Direktiva e BE-së përfitojnë të gjithë punëtorët, e në veçanti gratë.
“Direktiva e BE-se mbi Balancin Punë-Jetë, krijon mundësi për fleksibilitet dhe kushte të përshtatshme në vendin e punës, e po ashtu rrit mirëqenien e punëtorëve e në mënyre të veçantë i kontribuon fuqizimit të gruas dhe rritjes së barazisë gjinore,” tha Zeqiri.
Edhe Koordinatorja e Projektit në RrGK, Adelina Tërshani tha se zbatimi i kësaj direktive ndihmon në arritjen e barazisë gjinore.
“Promovimi i Direktivës së BE-së mbi Balancin Punë – Jetë në nivel lokal në bashkëpunim me organizatat anëtare të RrGK-së, gjithsesi do të ndikojë në zbatimin e politikave miqësore për familjen në bizneset e vogla si dhe rritjen e numrit të grave pjesëmarrëse në fuqinë punëtore,” tha Tërshani.
Tutje, biznesmeni Arben Veliu nga kompania Eko-Natyra e ka mirërpritur fushatën.
“Direktiva e BE-se mbi balancin punë-jetë, është e rëndësishme sepse krijon një ambient miqësor dhe më të pranueshëm për punëtoret, pasi ato një pjesë të madhe të ditës e kalojnë në vendin e tyre të punës. Po ashtu, është e rëndësishme për punëdhënësit në mënyrë që të ketë një vijueshmëri dhe qëndrueshmëri të punëtorëve dhe punëtoreve, pasi kjo krijon stabilitet të kompanisë,” tha Veliu.
Shoqata Artizanale Drugëza ka ndërmarrë edhe vitin e kaluar fushata vetëdijësuese për zbatimin e Direktivës së BE-së. Më 3 nëntor në Skenderaj, kjo shoqatë ka mbajtur takim me 15 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, në kuadër të nismës përfituese nga raundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) “Krijimi i vendeve miqësore të punës.”
[KËTU mund të lexoni më shumë rreth këtij aktiviteti] Nisma e shoqatës Drugëza “Promovimi i politikave dhe vendeve të punës miqësore për familjen në Komunën e Skënderajt” u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.
Përveç Drugëzës, nga UNFPA-ja, përmes rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës, kanë përfituar edhe tri organizata, për të cilat më shumë mund të lexoni KËTU.