“Drugëza” angazhohet për krijimin e vendeve miqësore të punës në Komunën e Skenderajt

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Shoqata Artizanale Drugëza”, më 3 nëntor në Skenderaj, ka mbajtur takim me 15 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, në kuadër të nismës përfituese nga raundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) “Krijimi i vendeve miqësore të punës”.

Ky takim mblodhi organizata që punojnë për të drejtat e grave, të cilat diskutuan për nevojën e përditësimit të kornizës ligjore në Kosovë, në përputhje me Direktivën e BE-së mbi balancin punë-jetë.

Trajnerja Kaltrina Veliqi, shpjegoi konceptet e kësaj direktive, vendet miqësore të punës si dhe adaptimin e direktivës me kornizën ligjore të Kosovës.

“Nëse direktiva do të adaptohej me ligjet e Kosovës, atëherë kjo automatikisht do të ndikonte edhe në rritjen e grave në tregun e punës. Në momentet kur krijohen mjedise të përshtatshme në vendet e punës, pra vende miqësore të punës, atëherë edhe për gratë është më e lehtë që ato të aplikojnë nëpër më shumë vende të punës”, shtoi tutje ajo.

Kurse, Lumnije Rexhepi – Micinaj nga OJQ Iniciativa për Mbështetje të Komunitetit pohoi se trajnimet për direktivë janë shumë të rëndësishme, kurse zbatimi i direktivës është jetik për Kosovën.

“Direktiva dhe krijimi i vendeve miqësore të punës janë shumë të rëndësishme pasiqë shumë gra tërhiqen nga tregu i punës për shkak se duhet të kujdesen për fëmijët dhe personat e tjerë më të moshuar të familjes. Kjo nuk është e drejtë. Prandaj, krijimi i vendeve miqësore të punës  dhe zbatimi i direktivës do të ndihmojnë në rregullimin e këtyre çështjeve”, tha ajo.

Po ashtu, Xhevat Jashari nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit theksoi se kjo gjë do të mundësonte që edhe pushimi i lehonisë të shfrytëzohet nga të dy prindërit.

Pjesa e dytë e sesioneve iu kushtua sfidave të grave të punësuara në Kosovë, rolit të shoqërisë civile në përmirësimin e kushteve të punës për gratë, si dhe bashkërisht u diskutua lidhur me atë se çfarë mund të bëhet tutje në kontekstin e Skenderajt për këtë direktivë.

Nga kjo nismë pritet që të realizohen edhe disa takime të tjera që do të përfshijnë edhe komitetin konsulativ për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore dhe komitetin për zhvillim ekonomik. Pas këtyre, rekomandimet do të dorëzohen në Komunën e Skenderajt, për të konsideruar se çfarë mund të bëhet tutje në krijimin e vendeve miqësore të punës.

Kjo nismë u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.