Edukimi Gjithëpërfshirës Seksual: Një Ndryshim i Nevojshëm

Për shumë nxënës në Kosovë, bisedat rreth shëndetit seksual, pëlqimit dhe respektit mbeten ende tabu. Sistemi arsimor në vend nuk përfshin ende edukimin seksual si një lëndë të dedikuar në kurrikulë. Në vend të kësaj, temat që lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues janë të shpërndara në disa lëndë, si biologjia, psikologjia dhe edukata qytetare, të cilat zakonisht trajtohen vetëm sipërfaqësisht. Studimet kanë treguar se tekstet shkollore përmbajnë stereotipe gjinore dhe gjuhë diskriminuese, ndërsa diskutimet mbi pëlqimin, ngacmimin seksual dhe dhunën mungojnë pothuajse plotësisht.

Në të njejtën kohë, hulumtimi nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka zbuluar se afër 50 për qind e kosovarëve kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual gjatë jetës së tyre, me gratë që preken në mënyrë disproporcionale. Këto të gjetura nënvizojnë nevojën urgjente për një edukim seksual gjithëpërfshirës që sfidon stereotipet, eliminon stigmën dhe promovon barazinë.

Për të adresuar këto boshllëqe, Qendra për Arsim dhe Zhvillim të Komunitetit – Friends (CECD Friends) zbatoi një iniciativë me synim promovimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës, të ndjeshëm gjinorisht dhe pa stigmatizim në shkollat fillore të Mitrovicës.

Vendosja e Themeleve për Ndryshim Përmes Hulumtimit

Hulumtuesja Rita Berisha analizoi tekstet shkollore të biologjisë, edukatës qytetare dhe gjuhës shqipe, për të vlerësuar se si trajtoheshin temat që lidhen me seksualitetin. Studimi zbuloi se materialet ekzistuese i trajtonin këto tema vetëm pjesërisht dhe pa qartësi, duke konfirmuar nevojën për t’i përditësuar dhe plotësuar me përmbajtje gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj gjinisë.

Nga ky aktivite doli raporti i parë gjithëpërfshirës mbi edukimin seksual në tekstet e shkollave fillore në Kosovë, duke identifikuar boshllëqe dhe duke ofruar rekomandime konkrete për përmirësimin e përmbajtjes dhe përfshirjen e temave të reja.

Vëzhgimi i Praktikave Mësimore

CECD më pas realizoi 12 orë obzervuese mësimore në dy shkolla fillore, për të kuptuar se si trajtohej aktualisht edukimi seksual. Ekipi gjithashtu mblodhi të dhëna kualitative përmes intervistave me mësimdhënës të biologjisë, gjuhës shqipe dhe edukatës qytetare. Këto gjetje ndihmuan CECD-në dhe RrGK-në të dizajnonin një trajnim njëditor për mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave, të fokusuar në metoda mësimore gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj gjinisë. Trajnimi, pra, ndikoi që mësimdhënësit të jenë më të vetëdijshëm për mënyrën e diskutimit të temave të edukimit seksual me ndjeshmëri gjinore dhe pa paragjykime. Pas trajnimit, disa prej tyre filluan t’i zbatojnë qasjet e reja në praktikë, duke përdorur mësimet e marra.

Njëra prej mësueseve pjesëmarrëse tha: “Definitivisht do të mundohem t’i aplikoj ato që i mësuam në klasat e mia gjate këtij viti shkollor.”

Punë me nxënës nga komunitete të ndryshme

Një përbërës tjetër i rëndësishëm i projektit ishte angazhimi i drejtpërdrejtë me nxënësit. CECD organizoi tre sesione edukative, të ndjekura nga 79 nxënës, përfshirë nxënës nda komunitetet romë, ashkali, boshnjakë dhe egjiptianë. Sesionet prezantuan tema kyçe të edukimit seksual gjithëpërfshirës, përfshirë njohjen e trupit, pëlqimin, shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe parandalimin e shtatzënive të padëshiruara. Nxënësit u shprehën se ishin të kënaqur me përmbajtjen e mësimeve dhe se kishin mësuar tema të reja që zakonisht nuk trajtohen në shkollë.

Avokimi dhe ndërveprimi institucional

Bazuar në gjetjet e hulumtimit, CECD gjithashtu përgatiti dhe dërgoi një letër avokuese dhe raportin përfundimtar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Dokumentet përmbanin rekomandime për përmirësimin e teksteve shkollore dhe përfshirjen e edukimit seksual gjithëpërfshirës në kurrikulën zyrtare. Letra avokuese mori mbështetje nga organizatat lokale në Mitrovicë, duke treguar përkushtimin e shoqërisë civile për përmirësimin e qasjes së të rinjve në informata të sakta dhe gjithëpërfshirëse për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Rritja e Ndërgjegjësimit Publik

Për të zgjeruar ndikimin përtej shkollave, CECD bashkëpunoi me Katror Media për të dizajnuar dhe lansuar një fushatë ndërgjegjësuese në rrjetet sociale. Fushata përfshiu postime edukative, pjesë nga hulumtimi dhe një video të animuar mbi pëlqimin seksual, shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe legjislacionin përkatës kombëtar, përfshirë Ligjin për Shëndetësinë dhe Ligjin për Shëndetin Riprodhues. Videoja dhe materialet u shpërndanë në Facebook dhe YouTube, me synimin për të arritur sa më shumë të rinj dhe për të sfiduar qëndrimet patriarkale rreth edukimit seksual. Fushata arriti tek të paktën 60,000 persona online, duke rritur vetëdijen mbi pëlqimin seksual dhe barazinë gjinore, si dhe duke nxitur një dialog publik të hapur për çështje që shpesh stigmatizohen në Kosovë.

Të gjitha këto arritje së bashku e fuqizuan dialogun publik për edukimin seksual gjithëpërfshirës dhe kontribuan në përpjekjet për përmirësimin e politikave arsimore në Kosovë, duke ofruar njëkohësisht informacione të përshtatshme për moshën për t’u kujdesur për mirëqenien dhe shëndetin e tyre. Iniciativa shënon një hap domethënës drejt një sistemi arsimor më të informuar dhe gjithëpërfshirës, ku çdo nxënës rritet i pajisur me njohuritë që i nevojiten për të marrë vendime të sigurta, të shëndetshme dhe të respektueshme.

Nisma e CECD-së “Edukimi gjithëpërfshirës seksual si prioritet” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), në vlerë prej 9,933 euro, nga janari deri në tetor 2024. Iniciativa kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “Edukimi që transformon normat gjinore.”