EKW trajnon gratë fermere për avokim

94 gra dhe vajza përfituan nga trajnimet e organizuara nga EcoKos Women (EKW), organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). Këto trajnime u organizuan në kuadër të nismës “Avokim për qasje më të lehtë të grave në grante, në Komunën e Prishtinës”, përfitues i roundit 14-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK).

Përgjatë muajit qershor dhe korrik, EKW organizoi dhjetë trajnime në fshatra të ndryshme të Komunës së Prishtinës. Temat kryesore gjatë trajnimeve ishin rreth kornizave të avokimit me qëllim që gratë fermere përmes avokimit të ngrisin numrin e përfituesve të subvencioneve dhe granteve të Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Prishtinës.

EKW ka mbajtur trajnime në fshatrat si: Prugovc, Barilevë, Dabishevc, Bërnicë, Slivovë dhe Keqekollë, me grupe të vogla të grave duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Nga gjitha këto takime u nxorren edhe rekomandimet për dërguar tek zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, pranë Komunës së Prishtinës

Shpresa Mjekiqi-Gosalci, prezantuesja e trajnimeve, inkurajoi të gjitha pjesëmarrëset që të avokojnë te vendimmarrësit për zgjidhjen e problemeve që ato hasin gjatë punës.  Gratë pjesëmarrëse e kanë mirëpritur këtë nismë, teksa së bashku kanë ndarë vështirësitë me të cilat janë përballur.

Gjatë muajit shtator u mbajt takimi online, përmes platformës ZOOM, ku pjesemarrëse ishin gratë fermere të komuniteteve të ndryshme si dhe Merita Tolaj, Zyrtare e lartë nga Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, për të diakutuar rëndësinë e rritjes së përkrahjes të grave dhe vajzave  në përfitimin  e granteve.

Ndërsa më 24 shtator, në objektin e Komunës së Prishtinës, u mbajt tryeza e rrumbullakës ku mblodhi përfaqësues nga UN Women, Caritas Kosova, Drejtoria e Bujqësisë, shoqëria civile si dhe gra pjesëmarrëse gjatë aktiviteteve të projektit. Gjatë këtij aktiviteti është diskutuar lidhur me identifikimin e sfidave dhe problemeve të vajzave dhe grave në sektorin e bujqësisë në Komunën e Prishtinës.

Havushe Bunjaku, fermere, e vlersoi këtë takim si shumë të dobishëm për mobilizim dhe avokim për t’u bërë zgjidhje problemeve që hasin fermerët e këtij fshati. Ajo gjithashtu theksoi rendësinë e gruas fermere duke shtuar se:

“Punën më të madhe në bujqësi e kryejnë gratë. Të gjithë procesin deri sa vjen te transporti dhe shitja e kryejnë gratë, mirëpo fatkeqësisht kjo punë është e padukshme. Andaj është mëse e nevojshme që Komuna të mbështesë sa më shumë gra fermere dhe të thyej këtë pabarazi që po ndodh në ndarjen e fondeve”.

Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.