E urtë, e dashur e pozitive që reflektonte edhe në skenë si e tillë, ishte Fatime Llugiqi. Aktore e teatrit, e filmit, që përpos kontributit e dashurisë në këtë fushë, ajo njihej edhe si mbështetëse për aktoret e reja duke ju dhuruar dashuri e familjaritet.
Aktorja, Anisa Ismajli rrëfen me emocione, takimin e parë kur pati me Fatimën para shumë vjetësh sa pati filluar aktrimin.
“Ajo gjithmonë i ka dashur artistët e rijnë, më kujtohet takimi i parë kur më pati përqafuar, dua që edhe unë sot ta mbajë dashurinë për artistët e rinjë si Fatimja”,ka thënë Ismajli.
Në vitin 1973 Fatime Llugiqi ishte punësuar në Teatrin Kombëtar . Prej atëherë për 30 vjet sa ishte aktive në skenë, ka interpretuar 37 role në teatër dhe 22 role në kinematografi dhe filma televiziv.
Llugiqi fillimisht ia kishte mësyrë shkollës së lartë për mjekësi. Por shpejt do të ndërronte mendje. Do të përfundonte në fillim të viteve ’70 Shkollën e Lartë Pedagogjike, në grupin e artit dramatik në klasën e Faruk Begollit dhe të Bekim Fehmiut.
Si studente luajti në shfaqjen “Brazdat e palëvruara” me regji të Muharrem Qenës. Regjisori Qena e kishte angazhuar vazhdimisht në shfaqjet e tij. Ajo më pas luajti në shfaqjet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Revizori”, “Makbethi”, “Mosha e Bardhë”, “Vajza pa pajë”, “Prefekti i Tiranës”, “Ana Karenina”, “Trungu Ilir”, “Hamleti”, “Orkidea” e “Milioneret e Napoleonit”, e që janë disa prej shfaqjeve me të cilat Llugiqi do të mbahet në mend.
Aktori Adem Mikullovci e ka përshkruar Llugiqin si aktoren më të përshtatshme.
E kishte angazhuar në gjashtë episode të serialit “Burri me tri gra”. Sipas tij, ajo ishte aktore e urtë e kureshtare.
Ndërkaq aktorja Aurita Agushi e kujton Fatimen si person që i ka dhënë shumëçka në jetë.
“Sado që mundohesh, nuk duket mjaftueshëm me përshkruar ashtu si ka qenë tezja Fatë. E butë e qetë plot ngrohtësi, plot dashuri. Ajo ka ditë se sit ë të mbajë afër”, u shpreh Agushi.
Aktorët e kujtojnë si një person ku në ekipin e shfaqjeve ku ishte Fatimja harmonia ishte aty, falë pozitivitetit dhe ndjeshmërisë që kishte.
Natyra analitike e saj për të zbërthyer personazhin dhe hulumtimet historike mbi të, e kanë drejtuar krijimtarinë e saj me ngjyrime karakteriale të spikatura.
Ajo lindi në vitin 1951 dhe ndrroi jetë në vitin 2019.