FEG takohet me kryeministrin Kurti dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave

Më 30 tetor, Rrjeti i Grave të Kosovës si anëtare e Forumit Ekonomik të Grave (FEG) organizoi një takim në zyrat e RrGK-së me Zëvendës Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve z. Agon Dobruna dhe Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Ministrie, z. Enis Spahiu. Gjithashtu RrGK më 31 tetor aranzhoi takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në të dy takimet  diskutua për  Projektligjin e Punës me fokus dispozitat që rregullojnë lejen e lehonisë, të atësisë dhe lejen prindërore si dhe diskutimin për Buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.

Forumi Ekonomik i Grave me partnerët Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Findacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), me përkrahjen e rreth tetëdhjetë organizatave të shoqërisë civile ka prezantuar modelin e përbashkët të lejes së lehonisë, të atësisë dhe lejen prindërore derivuar nga dokumenti pozicionues lidhur me Ligjin e Punës Nr.03-212 dhe analiza me rekomandime drejt institucionalizimit të buxhetit të përgjegjshëm gjinor për vitin 2024 për Kosovë.

Kryeministri Kurti shprehimisht u pajtua se pa barazi gjinore nuk mund të kemi barazi shoqërore. Kryeministri Kurti me anëtaret e Forumit Ekonomik të Grave i vunë theks rëndësisë së bashkëpunimit të institucioneve të shtetit dhe shoqërisë civile, për të forcuar zhvillimin ekonomik dhe për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe të vajzave.

Pas diskutimit të gjatë, Kryeministri Kurti premtoi për një përkushtim personal për adresimin e dispozitave të lejes së lehonisë, të pushimit të atësisë dhe pushimit prindëror. Në këtë takim poashtu u dakorduam për një takim tjetër së bashku gjatë muajit nëntor.

Zëvendës Ministri Dobruna njoftoi anëtaret e FEG se po punohet në projektligjin e Punës dhe pritet që brenda këtij viti të dalë në diskutim publik dhe përkrahu iniciativën e FEG për të krijuar kushte më të favorshme në tregun e punës dhe të punojmë për një shoqëri ku familja do të jetë në qendër. Z. Spahiu po ashtu na njoftoi lidhur me ecurinë e amandamentimit të ligjeve respektive.

Pas diskutimit të gjatë në shume tema, të cilat ndërlidhen me fuqizimin ekonomik të grave, u dakorduam për bashkëpunim për trajtimin e këtyre temave edhe në grupe punuese mes shoqërisë civile dhe qeverisë.

Forumi Ekonomik i Grave është koalicion i organizatave të shoqërisë civile me këtë përbërje: Instituti Riinvest; Kosova Women’s Network; Democracy for Development (D4D); Qendra Kosovare për Studime Gjinore; Network of Roma, Ashkali and Egyptian Women’s Organizations of Kosovo; Kosova – Women 4 Women; dhe Instituti GAP.