Nga data 25 deri më 30 shtator, u mbajt edicioni i 12-të i Festivalit FemArt, një ngjarje e rëndësishme e artit dhe aktivizmit feminist në Kosovë. FemArt 2024 mblodhi së bashku artiste, aktiviste dhe profesioniste nga vende të ndryshme, duke e kthyer Prishtinën në një qendër të debatit për barazi, drejtësi dhe fuqizim të grave.
Si çdo herë, edhe këtë vit Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), mbështeti festivalin dhe kauzën e tij, po ashtu, stafi ynë ishte prezent në shumë ngjarje të ndryshme, përfshirë edhe panele.
Adelina Berisha, Menaxhere Kundër Dhunës me Bazë Gjinore në RrGK, fillimisht mori pjesë në një panel, ku diskutoi për çështje që prekin barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në Kosovë. Tema që u diskutua ishte femicidi dhe si të luftohet kjo formë ekstreme e dhunës. Ajo solli në fokus përpjekjet e Rrjetit për avancimin e agjendave feministe përmes politikave publike dhe mbështetjes për gratë në fusha të ndryshme.
Ndërkohë, Igballe Rogova, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit, ishte pjesë e dy paneleve të rëndësishme. Në to, ajo ndau përvojat e saj të gjata në aktivizmin feminist dhe foli për rëndësinë e angazhimit të shoqërisë sonë për të arritur ndryshime strukturore.
Më 28 shtator, ajo bashkë me të tjerë ishte paneliste në ekspozitën dhe publikimin e monografisë “10 vjet FemArt”.
“Kam qenë shumë e emocionuar kur hyra për herë të parë sot në këtë hapësirë. Më është dashur të dal sepse isha e emocionuar dhe pastaj të rikthehem…sepse kuratori Berat Bajrami ka përkujtuar artistë që nuk janë më mes nesh si Sevdije Ahmeti, Burbuqe Berisha, Vjosa Berisha dhe Nexhmije Pagarusha, të cilat i hapën rrugën aktivistëve dhe artistëve”, është shprehur Rogova për nisjen e monografisë dhe ekspozitës shoqëruese.
Ndërkaq, në ditën e gjashtë dhe të fundit, në një panel të moderuar nga Jeta Xharra, Igballe Rogova, Vjosa Dobruna, Jadranka Miliceviç, Vjollca Krasniqi dhe Danijela Stanojeviç reflektuan mbi “Aktivizmin Feminist në vitet e 90-ta në Rajon: “Motërzimi: N’Kohë Lufte dhe Paqe”. Ato ndanë histori prekëse të ndërtimit të urave mbi kufijtë kombëtarë, etnikë dhe personalë, duke themeluar bazat e rrjeteve rajonale që janë ende aktive sot.
Gjatë panelit, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, ndau histori të motërzimit dhe aktivizmit me gratë serbe gjatë viteve ’90 dhe më tej. Ajo kujtoi momentin kur autorja Julie Mertus i kishte thënë për herë të parë që gratë në Serbi po protestonin për paqe dhe për të drejtat e grave shqiptare; dhe fillimisht, ajo nuk mund ta besonte këtë gjë:
“Nëse nuk më beson, shko dhe shiko… Do të vij me ty”, i tha Julie.
“Gratë në të Zeza kishin një protestë një herë në javë. Ato qëndronin të palëvizshme me pankarta. Njëra prej tyre shkruante: “Gratë shqiptare janë motrat tona”. Disa njerëz kalonin aty pranë…të tjerë ishin shumë radikalë. Kurrë nuk do ta harroj kur një burrë i pështyu në fytyrë një aktivisteje. Ajo qëndroi e palëvizshme ndërsa pështyma i rridhte nëpër fytyrë. Më vonë, e pyeta, “Pse nuk e fshive pështymën?” ajo më tha, “Po ta bëja, ai do të mendonte se e vërejta, kështu, e injorova. Ai nuk ekzistonte për mua”. Ne u bëmë shoqe, motra, dhe ajo u bë mentorja ime feministe: Lepa Mladenovic”, u shpreh Rogova.
Në panelin që pasoi, aktivistet e reja feministe nga Kosova dhe Serbia folën për rrugën që brezat e mëparshëm të aktivisteve feministe u hapën atyre. Ato diskutuan sfidat aktuale me të cilat përballen në ndërtimin e paqes në jetën e përditshme dhe përtej kufijve.
Jelena Memet nga Qendra Autonome e Vajzave ndau motot e saj feministe: “gjithmonë të pabindura”; “jo në emrin tonë”; dhe “mos na lini të mashtrohemi nga vetja jonë”. Gjithashtu, edhe motrat aktiviste nga Ukraina dhe Palestina ndanë sfidat me të cilat përballen gratë në vendet e tyre.
FemArt edhe këtë vit përfshiu një gamë të gjerë aktivitetesh, nga shfaqjet artistike, filmat, ekspozitat dhe diskutimet publike, të gjitha të frymëzuara nga tematika e barazisë gjinore dhe aktivizmit feminisit. Festivali u pa qartë që pati një ndikim të madh në shoqëri duke krijuar hapësirë për reflektim, bashkëpunim dhe ngritje të vetëdijes për çështjet që prekin gratë dhe grupet e margjinalizuara. Përmes artit dhe përmes shumë debateve, FemArt i dha zë përvojave dhe sfidave të grave, duke e nxitur shoqërinë drejt një të ardhmeje më të barabartë dhe më të drejtë.
Ky edicion theksoi rëndësinë e vazhdimit të aktivizmit, solidaritetit dhe bashkëpunimit midis artistëve, aktivistëve dhe shoqërisë civile për të përmirësuar pozicionin e grave dhe për të avancuar të drejtat e tyre.