Qytetarët e Ferizajt u mblodhën sot në Sheshin Adem Jashari për të mësuar se si të thyejnë heshtjen që e lejon të vazhdojë dhunën në familje. Qindra njerëz vizituan ekspozitën e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në partneritet me Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia ime” – Ferizaj.
“Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e krijuar në një model të labirintit, tregon muret e një shtëpie të mbuluar me histori të vërteta të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje.
Në fjalën e saj të hapjes, Gresa Bunjaku, përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia ime”, theksoi se “Ne, si ofrues të shërbimeve për viktimat e krimit, synim dhe obligim primar e kemi trajtimin sa më të denjë të viktimave dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara për viktimat.”
Ekspozita e cila u mbajt edhe në qytetet tjera të Kosovës, si: Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë ka për qëllim të rris ndërgjegjsimin për format e ndryshme të dhunës në familje dhe t’u siguroj qytetarëve informacione në lidhje me institucionet përkatëse dhe mënyrën se si të kontaktohen ato. Vizitorët gjithashtu u informuan për obligimet e tyre ligjore për të raportuar rastet e dhunës në familje dhe mbështetjen e viktimave.
Broshurën e ekspozitës mund ta gjeni KËTU.
Drejtori i Policisë së Kosovës në Ferizaj, z. Emin Beqiri deklaroi se ka një rritje të incidenteve të dhunës në familje të raportuara çdo vit, ndërsa shumë incidente të tilla nuk raportohen.
Ekspozita synon të inkurajojë qytetarët që të thyejnë heshtjen dhe të kërkojnë mbështetje nga institucionet në rast të dhunës.
Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).