Fondi i Grave të Kosovës

Ndryshimi i prioriteteve të donatorëve dhe tkurrja e buxheteve ka bërë që shumë donatorë ndërkombëtarë në Kosovë të mbyllin programet e granteve ose të ulin ndjeshëm financimin për organizatat joqeveritare. Ndërsa disa donatorë vazhdojnë të ofrojnë mbështetje, procedurat e ndërlikuara të aplikimit dhe fokusi në grante të mëdha shpesh përjashtojnë organizatat më të vogla. Grupet e udhëhequra nga gratë, veçanërisht ato me kapacitete të kufizuara stafi dhe njohuri të kufizuara të gjuhës angleze, përballen me barriera të mëdha në qasjen në financim për punën e tyre thelbësore në promovimin e barazisë gjinore dhe të të drejtave të grave.

Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në konsultim të ngushtë me anëtaret e tij dhe me mbështetjen e fondacionit Kvinna till Kvinna, themeloi në vitin 2012 Fondi i Grave të Kosovës (FGK). Ky Fond ofron grante të vogla e fleksibile për organizatat e grave në Kosovë dhe rajonin përreth, me fokus të veçantë në mbështetjen e nismave që avancojnë të drejtat e grave dhe vajzave rurale dhe të margjinalizuara. Donjeta Berisha, e cila ka punuar për Fondin mbi një dekadë, thekson se qasja nga poshtë-lart u mundëson përfituesve të granteve të arrijnë te gratë që shpesh nuk kanë qasje në mbështetje.

Ajo që e bën të veçantë Fondin e Grave të Kosovës nuk është vetëm qasja e tij, por edhe zhvillimi i përshtatur dhe i vazhdueshëm i kapaciteteve për përfituesit dhe aplikuesit e granteve. Kjo përfshin trajnim në shkrimin e granteve, menaxhimin e ciklit të projekteve, menaxhimin financiar dhe avokimin, duke rritur aftësinë e tyre për të siguruar financime të ardhshme dhe për të ndikuar në ndryshimet politike.

Që nga themelimi në dhjetor 2012, RrGK ka administruar 296 grante përmes Fondit të Grave të Kosovës, me gjithsej 1,531,561.05 €. Nga këto grante kanë përfituar 37,762 persona, përfshirë 29,505 gra dhe 7,782 burra, nga komunitete të ndryshme:

  • 22,269 shqiptarë;
  • 1,859 serbë;
  • 1,121 romë;
  • 828 ashkalinj;
  • 268 egjiptianë;
  • 351 goranë
  • 331 boshnjakë;
  • 166 turq;
  • 342 persona nga komunitete të tjera;
  • 603 persona me aftësi të kufizuara (PAK).

Nga avokimi dhe reforma e politikave te shëndetësia, zhvillimi i aftësive dhe përfitimet për fëmijë, Fondi ka transformuar jetë dhe komunitete. Shembuj të arritjeve të tij përfshijnë:

Avancimin e avokimit dhe politikave: Fondi ka mbështetur 432 iniciativa avokuese, përfshirë përpjekje që çuan në 30 ndryshime të dokumentuara politikash dhe disa komuna që adoptuan praktikat e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Avokimi i përfituesve kontribuoi në rritjen e financimit publik për gratë, si në nivel komunal ashtu edhe në nivel vendi. Përfituesit hartuan ose kontribuan në hartimin e planeve të veprimit komunal për barazi gjinore, që më pas u miratuan, Fondi ka siguruar që gratë nga pakicat etnike, gratë me aftësi të kufizuara dhe të mbijetuarit e dhunës të marrin pjesë domethënëse në vendimmarrjen lokale.

Fuqizimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit: Fondi ka fuqizuar 10,204 gra të bëhen më të ndërgjegjshme për të drejtat e tyre në trashëgimi dhe pronë, dhe ka ndihmuar 335 gra, përfshirë gjashtë të mbijetuara të dhunës, t’i realizojnë këto të drejta. Për më tepër, 3,095 gra dhe vajza janë frymëzuar të avokojnë për të drejtën e tyre në kujdes shëndetësor, duke u pajisur me njohuri dhe besim për t’u angazhuar me komunitetin.

Zhvillimin e aftësive dhe mundësive ekonomike: Fondi ka mbështetur vajzat e reja në zhvillimin e aftësive digjitale dhe sipërmarrëse, duke krijuar mundësi të reja të ardhurash në marketing, vetëpunësim dhe sipërmarrje. Po ashtu, u hoqën taksat për gratë në Gjakovë, gjë që bëri që pesë gra të fillonin menjëherë bizneset e tyre.

Zgjerimin e Kujdesit Shëndetësor dhe Mbështetjes së Komunitetit: Grantet kanë mundësuar nisma që zgjerojnë qasjen në shëndetësi, sidomos për gratë rurale dhe të margjinalizuara: punonjësit shëndetësorë në Gjakovë janë trajnuar për qasje të ndjeshme ndaj traumës me të mbijetuarat/it e dhunës seksuale dhe dhunës në familje; disa bashkësi lokale (Brestovc, Zoqisht dhe Denjë/Rahovec) kanë hapur Qendra të Mjekësisë Familjare; ndërsa një linjë telefonike shëndetësore është lansuar në Drenas, në bashkëpunim me Këshillin e Pacientëve. Fondi gjithashtu ka ndihmuar në dokumentimin dhe raportimin e shkeljeve të të drejtave në shëndetësi, duke mbajtur institucionet përgjegjëse. Për më tepër, grantet kanë sjellë përfitime për fëmijët, përfshirë transport falas për ata që jetojnë më shumë se pesë kilometra nga shkolla në Vushtrri.

Gjatë viteve, Fondi i Grave të Kosovës ka marrë mbështetje bujare nga partnerë të ndryshëm, përfshirë Bashkimin Evropian, Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Zhvillimor (Sida), Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), UN Women dhe Kvinna till Kvinna.