Fondi i Grave të Kosovës mbështet 11 iniciativa të reja

Fondi i Grave të Kosovës mbështet 11 iniciativa të reja

 Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ndau grantet e para për këtë vit. Anëtaret e RrGGK-së treguan interesim dhe vullnet të jashtëzakonshëm në shkrimin dhe aplikimin për grante inidividuale dhe ato në partnership, me ç’rast në këtë raund (të shtatin me radhë), RrGGK pranoi 37 aplikime. Ndërsa, pas vlerësimit të aplikacioneve nga Komisioni i Vlerësimit të Granteve dhe Vlerësimit të Rrezikut, përfituese të këtij raundi u përzgjodhën 15 organizata. Prej këtyre, 7 organizata pranuan Grante Avokimi Individual dhe 8 organizata do të bashkëpunojnë së bashku nëpërmjet Granteve Avokuese në Partnership për Ndryshim.Ky raund u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Austrian Development Agency me shumën totale 47,947.45 Euro.

Me 5 maj 2015, RrGGK organizoi sesionin orientues për organizatat përfituese të granteve, ku për këtë raund ishin:
 
1.      Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës me projektin “Avokimi për sigurimin e transportit pa pagesë për personat e verbër” me vlerën prej 2,750 Euro që do të avokojë për zbatim më të mirë të Nenit 13, të Ligjit për Personat e Verbër, Nr. 04/L-092 i cili siguron trafikun urban falas dhe atë ndër urban me pagesë pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së biletës për personat me aftësi të kufizuar. Kjo organizatë gjithashtu do të avokojë tek komuna e Prishtinës që 51 autobusët e rinj që do të blihen të plotësojnë kushtet për personat e verbër dhe personat me aftësi të kufizuar.
2.      Organizata Femra për Femrat me Aftësi të Kufizuar dhe K.B.K Marsi përfituan Grant avokimi në partnership për ndryshim, të titulluar “Integrimi i personave me aftësi të kufizuara në jetën politike dhe sociale” me vlerën prej 7,060 Euro. Këto dy organizata do të krijojnë Planin e Veprimit për personat me aftësi të kufizuara në Prizren, duke u bazuar tek Strategjia Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës  2013-2023 dhe Planin e Veprimit për Zbatimin e Strategjisë Nacionale për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2013-2017.
3.      Qendra për Zhvillim Rural në Novobërdë me iniciativën “Promovimi i turizmit fshatar dhe trashëgimisë kulturore në Novobërdë “ me vlerën prej 2,740 Euro do të te avokojë në nivel rajonal tek Agjencioni Regjional për Zhvillim Ekonomik dhe në nivel nacional në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për përfshirjen e Novobërdës në udhëzimet turistike të atraksioneve të Kosovës. Ato gjithashtu do të promovojnë turizmin lokal në radio lokale dhe nacionale dhe do të organizojnë trajnime për avancimin e shkathtësive për ta udhëhequr turizmin fshatar.
4.      Mitrovica Women Association for Human Rights do të marrë iniciativën “Unë e meritoj një pozitë udhëheqëse” me vlerën prej 2,545 Euro do të punojë me gratë asambleiste nga rajoni i Mitrovicës Veriore respektivisht në këto komuna: Mitrovica Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Përmes takimeve dhe trajnimeve ata synojnë të krijojnë Grupet e Grave Asambleiste, Rrjetin e Grave Asembleiste dhe nominimin e grave si drejtore të departamenteve nëpër komunat e tyre. 
5.      Shoqata e Juristëve NORMA dhe Qendra për Fuqizimin e Gruas (QFG) përfituan grant avokimi në partnership për ndryshim të titulluar “Realizimi i së drejtës në mbajtje financiare dhe ushqimi (Alimentacioni)” me vlerë 7,580 Euro. Përmes këtij granti ato do do të avokojnë për zbatim më të mirë të realizimit të së drejtës në alimentacion. Ato synojnë nxjerrjen e udhëzimit administrativ në kuadër të Ligjit për Familjen në Kosovë, që ka për qëllim krijimin e një mekanizmi të veçantë, i cili do të monitoroj realizimin e së drejtës në alimentacion.
6.      Shoqata Iniciativa e Grave me iniciativën e tyre “Gratë, shëndeti dhe e drejta e tyre ligjore”, me vlerë 2,822.45 Euro do të hulumtojnë dhe dokumentojnë: shkeljet e të drejtave të grave në kujdesin shëndetësor, nivelin  e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe  nivelin e vetëdijes së qytetarëve për të drejtat e tyre gjatë trajtimit shëndetësor. Ato gjithashtu do të angazhohen drejt ndërgjegjësimit të institucioneve shëndetësore për përgjegjësi dhe reagim ligjor me rastin e adresimit të shkeljeve të të drejtave të grave në kujdesin shëndetësor.
7.      Artpolis dhe Femrat Aktive të Gjakovës do të bashkëpunojnë nëpërmjet grantit për avokim në partnership për ndryshim të titulluar “Adresimi i ngacmimeve seksuale dhe ngritja e mekanizmave mbrojtës në Universitetet Publike të Prishtinës dhe Gjakovës” me vlerë 7,600 Euro. Ato do të punojnë me studente nga Prishtina dhe Gjakova për të avokuar së bashku për krijimin e mekanizmave për adresimin dhe trajtimin e ngacmimeve seksuale në universitetet publike.
8.      Partners Kosova, duke u bazuar në praktikat e mira nga iniciativa e mëhershme do të vazhdojnë të punojnë në fushën e të drejtave të grave në pronë dhe trashëgimi. Iniciativa e tyre e quajtur “Avokimi i grave për barazinë gjinore, të drejtat e tyre pronësore dhe të trashëgimisë” me vlerë 2,390 Euro do të fokusohet në Malishevë dhe Rahovec ku do të punojnë me gra, vajza, të rinj, si dhe me zyrtaret për barazi gjinore, përfaqësues/e nga gjykata dhe qendrat për ndërmjetësim për të drejtat e grave në pronë dhe trashëgimi.
9.      Me iniciativën e titulluar “Thuaju mjaft paragjykimeve” me vlerë 2,350 Fondacioni për Edukim dhe Zhvillim do të fuqizojë gra të tri komuniteteve shqiptare, serbe dhe rome. Kjo organizatë do të mbajë punëtori ku do të flitet për rolin e gruas në shoqëri, në vendimmarrje, në institucione dhe në familje. Pjesëmarrëse në këto punëtori do të jenë gjithashtu edhe përfaqësues të komunës së Novobërdës. Pas trajnimeve ato planifikojnë të avokojnë për të drejtat e grave në këtë rajon duke u takuar me kryetarin e komunës dhe përmes tryezës të rrumbullakët me akterë të ndryshëm.
10. Shoqata Psikoterapeutet në Veprim do të ndërmarrë iniciativën “Parandalimi i trafikimit me qenie njerëzore” me vlerën prej 2,520 Euro. Ato do të organizojnë punëtori me të rinj nga shkollat e mesme, sidomos me vajzat nga viset rurale për ngritjen e vetëdijes rreth trafikimit dhe pasojat. Gjithashtu do të takohen me Kryetarin e Komunës, Kryesuesen e Kuvendit të Gjilanit, me Drejtoreshën Regjionale të Policisë dhe akterë tjerë relevant për të luftuar së bashku këtë dukuri.
11. Dera e Hapur dhe Ruka Ruci po vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të suksesshëm përmes grantit për avokim në partnership për ndryshim të titulluar “Fuqizimi i grave me krijimin dhe aktivizimin e dy grupeve të grave për t’i informuar për të drejtat e tyre dhe pjesëmarjen e tyre në procese vendimmarrëse” me vlerë 7,590 Euro.