Janë shpallur zyrtarisht 18 organizatat përfituese të 16 granteve nga raundi i 13-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Kjo u bë sot, më 24 tetor me ç’rast RrGK ka mbajtur Sesionin Orientues, njëkohësisht edhe Konferencën për Media për të shpallur fitueset e këtij raundi, përmes së cilit në total u ndanë 66,429.50€. Këto grante, ndër të cilat dy janë në partneritet, financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
FGK duke mbështetur këto nisma të organizatave që udhëheqen nga gratë kontribuon në ndryshimet pozitive që mund të bëhen në shoqëri. Poashtu, realizimi i këtyre nismave të organizatave anëtare kontribuon në zbatimin e Strategjisë së RrGK-së për vitet 2019-2022, e cila është përpiluar dhe miratuar bashkë me organizatat anëtare të RrGK-së.
Në pjesën e parë të këtij takimi Diellza Olluri, Koordinatore e FGK-së, ka ndarë informata të detajuara lidhur me raportimin narrativ, financiar dhe plotësimin e databazës së të dhënave për monitorimin dhe vlerësimin, përmes të cilave do t’u lehtësohet përfitueseve procesi i raportimit gjatë zbatimit të këtyre projekteve.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK në fjalën e saj para mediave theksoi se “Qëllimi kryesor i Fondit është që të zbatojmë bashkë strategjinë e Rrjetit të Grave të Kosovës, dhe ju tashmë e dini se e kemi Strategjinë e re 2019-2022 për të cilën kemi akoma jashtëzakonisht punë për të bërë. Me këtë motivacion dhe me këtë zotim që ju e keni dhënë para vetes, jeni ju që po e zbatoni atë. Unë jam e sigurt që strategjinë do ta zbatojmë mbi 98 për qind, dhe jam e sigurt se përsëri do të kemi sukses së bashku”.
Annette Fath Lihic, Këshilltare Kryesore Politike/Koordinatore Ekzekutive, Zyra e Përfaqësueses së Posaçme të BE-së në Kosovë ka vlerësuar punën që është bërë nga RrGK në avancimin e pozitës së gruas në shoqëri.
“Ne e dimë që shumë punë është bërë nga ju, BE-ja është krenare që të vazhdojë përkrahjen financiare për projekte si këto dhe të kontribuojë për avancimin e pozitës së grave”, ka deklaruar Lihic.
Arsim Aziri, Udhëheqës i Administratës dhe Këshillues i Sektorit Privat, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) ka thënë se barazia gjinore duhet përfshirë në çdo aktivitet.
“Raundi i 13-të deri më tani, dhe ne jemi të kënaqur që po vazhdojmë edhe më tutje me Rrjetin. ADA e përkrahë Rrjetin edhe në projekte të tjera, në aktivitete për fuqizimin e grave dhe vajzave, për interesin e tyre, për përfshirjen në politikë, fuqizimin e tyre në politikë, dhe arritjen e barazisë gjinore. Poashtu, sikurse organizatat e juaja edhe ADA i kushton shumë rëndësi dhe ka kujdes që barazia gjinore të jetë e përfshirë në çdo aktivitet dhe projekte të tjera që ne përkrahim”, u shpreh Aziri.
Në vazhdim, RrGK dhe organizatat anëtare nënshkruan kontratat për projektet si vijon:
Grant Avokimi Individual për një Organizatë:
- Femrat Aktive të Gjakovës (FAGJ) me iniciativën: “Zhvillimi i një sistemi ndër institucional të qëndrueshëm për adresimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në komunën e Gjakovës” (3,496.00€, përkrahur nga ADA)
- NVO “Svet Andjela” me iniciativën: “Gratë në fokus” (4,000.00€, përkrahur nga BE)
- Iniciativa e Femrës Kosovare (IFK) me iniciativën: “Qasja e përmirësuar e grave fermere dhe ndërmarrëse të Komunës së Gjakovës në subvencionet komunale” (3,760.00€, përkrahur nga ADA)
- Down Syndrome Kosova me iniciativën: “Kuzhina X21” (3,980.00€, përkrahur nga ADA)
- Kosovo Advocacy Group (KAG) me iniciativën: “Pjesëmarrja e grave të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në politikëbërje” (4,985.00€, përkrahur nga BE)
- Udruženje Poslovnih Žena WBA me iniciativën: “Indeksi i barazisë gjinore në vetëqeverisjen lokale në Mitrovicë të Veriut” (4,997.00€, përkrahur nga BE)
- Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane me iniciativën: “Promovimi i punësimit përmes avancimit të shkathtësive të buta për gratë rome, ashkali dhe egjiptiane në Gjakovë” (3,000.00€, përkrahur nga ADA)
- Organizata Lulishtja me iniciativën: “Avokim për fuqizimin ekonomik të grave fermere në fshatrat e Malësisë së Gollakut” (3,080.00€, përkrahur nga ADA)
- Organizata Hareja me iniciativën: “MOS heshtni-Flisni” (3,140.00€, përkrahur nga ADA)
- Moravski Biser me iniciativën: “Harmonizim i normave tradicionale të trashëgimisë me kornizën ligjore” (3,387.00€, përkrahur nga ADA)
- Organizata për Reforma Lokale “Euloc” me iniciativën: “Promovimi i buxhetimit të drejtë gjinor nga qeverisja komunale në Viti” (4,990.50€, përkrahur nga BE)
- Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes me iniciativën: “Ngritja e efikasitetit të shërbimeve sociale përmes dispozitave të Konventës së Stambollit” (3,420.00€, përkrahur nga ADA)
- Art Without Limit me iniciativën: “Festivali ndërkombëtar i filmit për personat me aftësi të kufizuara” (3,750.00€, përkrahur nga ADA)
- United Women’s Association me iniciativën: “Avokim i drejtë për punësim të grave” (3,020.00€, përkrahur nga ADA)
Grante Avokimi në Partneritet për Ndryshim:
- Udruzenje Žena Nas Dom & Qendra e Grave për Zhvillim Rural (QGZHR) me iniciativën: “Partneriteti për zhvillim (i mjedisit miqësor për zhvillim) të ndërmarrësisë së grave” (7,614.00€, përkrahur nga ADA)
- Organizata Rikotta & Qendra e Gruas “ATO”: “Fuqizimi ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve të grave në Prevallë dhe fshatrat përreth!” (5,810.00€, përkrahur nga ADA)
Aktualisht FGK ka të hapura edhe dy thirrje të tjera për aplikim për grante. Thirrjen e raundit të 14-të të granteve e cila është e hapur vetëm për organizatat anëtare të RrGK mund ta gjeni KËTU, ndërsa thirrjen për aplikim për “Avancimin e të drejtave të Punës për Gratë” e cila është e hapur për të gjitha organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe rajon mund ta gjeni KËTU.
Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK-së ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht për grupet që punojnë në vende rurale dhe/apo personat e margjinalizuar. Që nga viti 2012, FGK ka ndarë 160 grante, duke përkrahur 86 organizata, me shumën prej 753, 747.46€. FGK ka pasur më shumë se 20,855 përfitues. Në vitin 2019, Fondi i Grave të Kosovës mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), Bashkimi Evropian dhe UN Women.
Këtu mund të ndiqni transmetimin e drejtpërdrejt të kësaj ngjarjeje.