Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përmes Fondit të Grave të Kosovës (FGK) shpalli raundin e 19-të të granteve në shumën prej 90 mijë eurove, falë donatorëve siç janë Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).
Drejtorja ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, ka njoftuar anëtaret e RrGK-së se në këtë raund do të ndahen nëntë grante në vlerë prej 10 mijë eurove, të cilat janë bërë të mundura falë besimit dhe mbështetjes së palëkundur të donatorëve ADA dhe Sida.
“Ndërsa, ne së bashku e kemi hartuar strategjinë katërvjeçare të RrGK-së, ne përmes granteve së bashku vazhdojmë ta zbatojmë këtë strategji,” tha Rogova në takimin informues të mbajtur me anëtaret e RrGK-së përmes platformës Zoom.
Ajo përgëzoi anëtarët e RrGK-së për zbatimin e suksesshëm të projekteve të raundit të 18-të dhe shprehu shpresën për sukses të vazhdueshëm në raundin e 19-të.
Ndërsa, menaxherja e FGK-së, Donjeta Berisha ndau informacione të detajuara për projektet që mbështeten në këtë raund dhe për mënyrën e aplikimit.
Organizatat anëtare mund të aplikojnë me projekte të cilat do të kontribuojnë në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave dhe barazisë gjinore në Kosovë.
Aplikacionet duhet të demonstrojnë se si organizatat propozojnë të kontribuojnë në realizimin e Strategjisë dhe objektivave të saj të identifikuara nga anëtaret e RrGK-së, në kuadër të Strategjisë së RrGK-së për periudhën 2023-2026, duke avokuar për përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave, si dhe duhet të përfshijnë qasjen e cila promovon të drejtat e njeriut dhe të mbështesin ndryshime afatgjata.
RrGK inkurajon fuqishëm të ndërmerren iniciativa avokuese në nivel lokal dhe/ose qendror.
Anëtaret e RrGK-së kanë të drejtë aplikimi deri më 20 shtator, ndërsa detajet mbi thirrjen për aplikim mund t’i gjeni këtu.