Forumi Ekonomik i Grave lanson agjendën kombëtare

 Pas një viti takimesh për të diskutuar çështjet aktuale dhe urgjente lidhur me fuqizimin ekonomik të grave, Forumi Ekonomik i Grave prezantoi Agjendën kombëtare për fuqizimin ekonomik të grave” më 18 dhjetor të vitit 2017.

RrGK-ja, si një prej themelueseve dhe anëtarëve të këtij forumi, ka ofruar të dhëna hyrëse për këtë agjendë dhe ka qenë aktive në avokimin për ndryshimin e Ligjit të Punës të Kosovës, për të krijuar një mjedis pune që ofron më shumë mundësi, ku më shumë gra mund të punësohen. Gjatë këtij evenimenti, pas fjalës së mikpritjes të Alban Hashanit, drejtor ekzekutiv i institutit “Riinvest” dhe James Hope, drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë, u prezantuan agjenda dhe qëllimet e saj. Shtyllat kryesore të kësaj agjende kombëtare u hartuan nga të 10 organizatat anëtare të Forumit Ekonomik të Grave dhe kanë të bëjnë me ndryshimin e Ligjit të Punës, duke u përqendruar kryesisht te prezantimi i modeleve të reja të pushimit të lehonisë, pushimit prindëror dhe pushimit prindëror të bashkëndarë.
Së dyti, kjo agjendë përqendrohet te rritja e numrit të institucioneve të ofrimit të kujdesit për fëmijë dhe krijimi i formave të reja të investimit në këto institucione. Së treti, agjenda përqendrohet te pikat e avokimit që kanë të bëjnë me ndryshimin e trajnimeve që ofrohen në shkollat e aftësimit profesional dhe, së fundmi, te sipërmarrja e grave. Në lansimin e kësaj agjende u zhvillua një diskutim në panel me zëvendës ministrat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Të gjithë përfaqësuesit qeveritarë e mirëpritën agjendën, duke shprehur rëndësinë e saj dhe nevojën që ka Kosova për një dokument të tillë. Sipas z. Çerkin Dukolli, zëvendës ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, “gratë përbëjnë një kapital strategjik”, duke shprehur kështu mirëkuptimin e tij për investim në strategji që do t’i mundësonin një numri më të madh grash që të bëheshin anëtare aktive të tregut të punës.
Meqenëse agjenda është bërë publike tashmë, viti 2018 pritet të jetë një vit aktiv, i mbushur me përpjekje avokuese në drejtim të fuqizimit ekonomik të grave.