Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) të premten mori pjesë në tryezën për diskutim, Dialogu Shoqëror “Bashkë me gratë për zhvillimin”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Albin Kurti, Kryetar i LVV-së, është lideri i parë që takon organizatat e grave akoma pa filluar mandatin si kryeministër për të diskutuar situatën e përgjithshme të grave në Kosovë. Tryezën e hapi Nazlie Balaj, Udhëheqësja e Sekretariatit për Gruan Aktiviste në LVV, me ç’rast përmendi rëndësinë e dialogut shoqëror për çështjet e grave në Kosovë për ndërtim të politikave që përmirësojnë pozitën dhe situatën e tyre në shoqëri.
Kurti mori fjalën për të theksuar suksesin e grave që kandiduan në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, si dhe shprehi gatishmërinë e tij për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe organizatat e grave për të arritur barazinë gjinore.
“Tek unë do ta keni njeriun i cili interesohet që t’u ndihmojë të organizoheni sa më shumë. Sa më shumë solidaritet gjinor, sepse në burra mund të llogarisni, por jo edhe tepër. Pra, është i domosdoshëm organizimi, është i domosdoshëm solidariteti gjinor. Gruaja duhet ta ndihmojë gruan,” tha Kurti.
Mungesa e zbatimit të kornizës ligjore përkitazi me barazinë gjinore dhe problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohen gratë në përditshmërinë e tyre, ishin ndër temat kryesore që u diskutuan në këtë takim.
Adelina Berisha, Menaxhere e Programit mbi Dhunën me Bazë Gjinore në RrGK, në fjalën e saj tha se:
“Na gëzon fakti që të enjten pritet të nis punën parlamenti dhe deputetët dhe shpresojmë që menjëherë do të fillojë puna e tyre, sepse nëse dikush ka pasur vështirësi janë kryesisht gratë, të cilat kanë mbetur prapa për shumë nisma të cilat na janë ndërprerë në gjysmë, apo që vet jeta e tyre është vënë në rrezik, sidomos për viktimat e dhunës në familje, ku sot, strehimoret ende nuk e dinë nëse do të mund të funksionojnë në dy muajt e ardhshëm për shkak se qeveria e kaluar nuk e ka zbatuar buxhetin për mbështetje të strehimoreve”.
Foto: Lëvizja Vetëvendosje, Facebook
Berisha kërkoi që deputetet e legjislacionit të ardhshëm të përkrahin mbështetjen e vazhdueshme financiare për strehimoret dhe qendrat ditore që ofrojnë mbështetje për viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Tutje, përmendi edhe adaptimin e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës, si dhe kërkoi që gjatë draftimit të legjislacionit dytësor dhe krijimit të mekanizmave që kërkohen në bazë të kësaj konvente, të ketë bashkëpunim të ngushtë me organizatat e grave. Mes tjerash, Berisha kërkoi që gjatë mandatit të ardhshëm të legjislacionit të ri të përfundojë edhe plotësim–ndryshimi i Ligjit të Punës, duke marrë parasysh rekomandimet nga organizatat e grave, veçanërisht të ndërlidhura me dispozitat e pushimit të lehonisë, atësisë dhe atij prindëror, që do të ndikonin direkt në krijimin e mundësive për punësim të grave; të përfundojë Ligji për Sigurimet Shëndetësore që do të ndikonte direkt në qasje më të lehtë të grave në kujdes shëndetësor.
Ndërsa, në lidhje me Kodin Civil, u kërkua që të merren parasysh rekomandimet e RrGK-së përkitazi me Kapitullin 1138 Martesa, ku u kërkua që ky kapitull të harmonizohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në mesin e përfaqësueseve të organizatave të grave, deputeteve, ambasadave dhe agjencioneve të ndryshme në këtë dialog mori pjesë edhe Kryetarja e Bordit te RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa. Ajo shprehi shqetësimin e saj për sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke e përfshirë edhe policinë.
“Të bëjmë nje sistem të vetingut i cili ndoshta edhe në shtimin e numrit të gjykatësve, prokuroreve, policeve gra, po ndoshta edhe në shtimin e një prespektive gjinore gjatë procesit të vetingut, që të kemi një drejtësi e cila është e dinjitetshme edhe për gratë.” tha Qosaj-Mustafa “Sepse, mosbesimi i grave në institucionet e drejtësisë, do të thotë edhe mosbesim i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.”
Foto: Lëvizja Vetëvendosje, Facebook