Me 8 gusht në Prishtinë, “Dera e Hapur” organizoi trajnimin për fuqizimin e grave aktiviste të komuniteteve për të çuar përpara të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, ku morën pjesë 15 gra shqiptare nga Prishtina, Bardhoshi dhe Hajvalia. I njejti trajnim u organizua nga “Ruka Ruci” në fshatin Dobrotinë të komunës së Graqanicës më 18 gusht, me 17 gra serbe pjesëmarrëse. Këto dy trajnime, nga këto organizata anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), u organizuan në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave aktiviste nga komuniteti për të çuar përpara të drejtat e grave dhe barazinë gjinore përmes pjesëmarrjes, informative dhe mediave sociale”.
Projekti ka për qëllim fuqizimin e grave dhe angazhimin e tyre në mënyrë aktive në proceset vendim-marrëse si dhe në zhvillim sa më të qëndrueshëm të komuniteteve në të cilat jetojnë. “Dera e Hapur” dhe “Ruka Ruci” gjithashtu synojnë që përmes këtij projekti të përmirësojnë dialogun ndëretnik përmes bashkimit të grave të komuniteteve shqiptare dhe serbe duke organizuar aktivitetete të përbashkëta të projektit dhe shkëmbimit të përvojave.
“Ngritja e vetëdijes së grave për rëndësinë e pjesëmarrjes në proceset vendim-marrëse si dhe njoftimi i tyre me mekanizmat të cilat kanë të bëjnë me marrjen e vendimeve në nivel komunal është mënyrë e vetme që gratë të kuptojnë rëndësinë e avokimit dhe pjesëmarrjes aktive”, ka thënë Nevenka Rikalo, përfaqësuesja e organizatës “Ruka Ruci”. Ajo gjithashtu theksoi faktin se problemet e grave në komunën e Prishtinës dhe atë të Graqanicës janë të ngjashme dhe se beson se shkëmbimi i përvojave do të ndikon pozitivisht në dialogun ndëretnik të këtyre komuniteteve. “Pas shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të strategjive avokuese, gratë do të kanë mundësinë që së bashku me ne të marrin pjesë në takimet avokuese në komunat përkatëse” ka thënë Belgjyzare Muharremi, përfaqësuesja e organizatës “Dera e Hapur”. Ajo gjithashtu përmendi faktin se pjesëmarrja e grave në takimet avokuese do të ketë ndikim të drejtpërdrejte në fuqizimin e grave si dhe në angazhimin e tyre në mënyrë aktive në proceset vendim-marrëse.
Pjesëmarrëset shprehën mirënjohje për këtë projekt duke u ndarë të kënaqura me gjitha njohuritë e përfituara. Njëra nga gratë tha se "me padurim pres takimin ku gra të të dy komuniteteve do të ulemi bashkë dhe të diskutojmë mbi problemet në komunitetet në të cilat jetojmë”.
Ky projekt mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.