Grave ju Takon e Drejta për Trashëgimi

 “Barazia Gjinore në Procedurën e Trashëgimisë” ishte tema që u diskutua në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Shoqata e Avokatëve Norma, organizatë anëtare e RrGGK, me 16 Shtator.
    Kjo tryezë, si pjesë e një projekti të përkrahur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) të RrGGK, mblodhi më shumë se 20 persona kyq nga shoqëria civile, Gjykata dhe Universiteti i Prishtinës, që diskutuan për këtë çështje shumë të rëndësishme.
    Meqenëse Ligji për Trashëgiminë e Kosovës ekziston, nuk është bërë mjaft në ngritjen e vetëdijes tek shoqëria për implementimin e tij.
   “Në shumë raste gratë kanë hezituar të kërkojnë të drejtën e tyre për trashëgimi ndonjëherë nga zakonet, e ndonjëherë nga mosdija për ekzistimin e kësaj mundësie apo procedurave që duhet të ndërmirren”, u shpreh njëra nga përfaqësueset e Shoqatës së Avokatëve Norma. Ato prezantuan gjetjet e monitorimit tre mujor në gjykatat themelore në Gjilan, Prizren, Mitrovicë, Lipjan dhe Podujevë, ndërsa në vazhdim u hap diskutimi për propozime e sugjerime mbi hapat e mëtutjeshëm.
    “Gjykata nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim e vetme; duhet të bëhet vetëdijësimi i grave por edhe i burrave që zakonet nuk vlejnë, por ekziston ligji i cili duhet të respektohet”, tha njëra nga të pranishmet, Gjykatëse në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
     Z. Haxhi Gashi, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, shpjegoi se regjistrimi i vdekjes së qytetarëve të Kosovës është me rëndësi për gjithë zhvillimin e Kosovës, përfshirë këtu edhe çështjen e trashëgimisë. Si rrjedhojë, procedurat për marrjen e trashëgimisë vështirësohen aq shumë sa që gratë heqin dorë nga kjo e drejtë.
“Ligji ekzistues është shumë mirë i kompletuar, mirëpo ka një nen që quhet ‘Heqja dorë nga trashëgimia’, e kjo shfrytëzohet më së shumti”, u shpreh z. Gashi. “Gruaja ka të drejta të barabarta me burrin për trashëgimi, së pari nga pasuria e familjes, e pastaj nga pasuria me partnerin që bën kurorëzim”.
     Njëri nga shumë propozimet ishte të ndryshohet ky nen në ligjin ekzistues, në mënyrë që trashëgimia të bëhet sipas detyrës zyrëtare ( automatikisht ) pas pasur nevojë të kërkohet, mirëpo propozimet dhe sugjerimet finale që do të dalin nga kjo tryezë do të bëhen së shpejti publike nga Shoqata e Avokatëve Norma.
Fondi i Grave të Kosovës përkrahet nga Austrian Development Agency (ADA) dhe Kvinna till Kvinna (KtK).