10 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, u shënua edhe nga organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Gruaja Hyjnore” në Gjilan.
Qytetarë, përfaqësues nga institucionet, e shoqëria civile, duke respektuar masat kundër Covid-19, ndoqën punëtorinë për të drejtat e njeriut, me theks të veçantë në të drejtat e grave dhe luftimin e dhunës ndaj tyre.
Ligjëruesi prof. Ferid Azemi, theksoi rëndësinë e raportimit të rasteve të shkeljes së të drejtave të njeriut.
“Nëse dëgjoni raste të shkeljes së të drejtave, apo më konkretisht dhunës, duhet menjëherë të raportoni te organet kompetente, sepse policimi në komunitet mund të shpëtojë jetën e dikujt”, tha Azemi.
Mbrojtësi i viktimave për regjionin e Gjilanit, Gani Leci, tha se edhe pse qytetarët e raportojnë dhunën, ndodh që viktimat të kenë frikë ta pranojnë të vërtetën.
“Kemi pasë raste kur fqinji e ka raportuar dhunën dhe menjëherë janë marrë masat ligjore e mbrojtëse, sepse Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje i mbron të drejtat e gjithsecilit”, tha ai.
Të pranishmit ndanë përvoja të ndryshme të mosraportimit të dhunës në familje, dhe rëndësinë që ka komuniteti për t’u dalë në ndihmë viktimave. U tha se duhet të kultivohet kultura që dhuna mes çiftit nuk është çështje private.
Ky aktivitet mbështetet nga Trusti Sigrid Rausing, përmes rundit të 16 të Fondit të Grave të Kosovës, që ofron mbështetje organizative për OJQ-të që punojnë për të drejtat e grave.
LEXO EDHE: Fondi i Grave të Kosovës ofron mbështetje organizative