“Grupet Mbështetëse për Gratë e Prekura nga Kanceri i Gjirit” një iniciativë e organizatës Have Hope, që ka për mision të mbështesë gratë dhe vajzat e prekura nga kjo sëmundje e rëndë, kanë ofruar përkrahje emocionale dhe sociale, si dhe informacione për marrjen e ndihmës mjekësore.
Kjo nismë filloi më 1 korrik 2023 dhe zgjati deri më 31 dhjetor 2023. Po ashtu, ka zhvilluar disa aktivitete që synuan ndërgjegjësimin e grave ndaj ose kundër kancerit të gjirit, duke bërë formimin e grupeve mbështetëse dhe shpërndarjen e pyetësorëve për mbledhjen e të dhënave, si dy pikat kyçe të saj. Me mbledhjen në një vend të sigurt për të shprehur brengat dhe sfidat e tyre, këto gra të prekura nga kanceri i gjirit, mësuan më shumë dhe më detajisht përmes përvojave të njëra-tjetrës. Ndihma psikologjike e cila është e nevojshme për një grup të tillë të prekur nga kjo sëmundje, e që nuk jepet në masë të duhur, ato e gjejnë në mesin e tyre dhe me ndjeshmërinë që e kanë nga vetë përvojat personale.
“Sesioni Informativ i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit” ishte ndër aktivitetet me fokus në edukimin e grave për simptomat e hershme të kancerit të gjirit dhe rëndësinë e kontrollit të rregullt mjekësor. Specialistja onkologjike ka dhënë informata për çasjen në shërbimet shëndetësore për gratë e prekura nga kanceri, specifkishit nga kanceri i gjirit.
Have Hope ka mbledhur katërmbëdhjetë (14) grupime mbështetëse, ku gratë kanë ndarë eksperiencat e tyre personale dhe kanë marrë mbështetje emocionale nga njëra-tjetra. Këto takime janë mbajtur çdo të enjte nga ora 17:00-18:30 në Prishtinë, dhe janë moderuar nga drejtoresha e organizatës Arnisa Osmani, me ndihmën e vullnetarëve. Këto takime kanë qenë mjaft të frytshme duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien emocionale të pjesëmarrëseve.
Gjatë grupeve mbështetëse, gratë janë motivuar që të dokumentojnë dhe raportojnë rastet e trajtimit të pabarabartë në shërbimet shëndetësore.
Pika kryesore dhe më e rëndësishme e arritur përmes mbledhjes në këto grupe, ka qenë mbështetja emocionale që i është ofruar grave. Në secilin takim është bërë prezantimi i pjesëmarrëseve të reja dhe është shpalosur historia e secilës grua e cila është prekur nga kanceri apo e ka mundur. Gratë pjesëmarrëse kanë kuptuar se atyre ju takon një mbështetje/pension invalidor të cilin mund ta marrin një herë në vit, janë marrë informacione edhe për sjelljen të cilën mjekët dhe personeli shëndetësor duhet ta ketë në trajtimin e tyre.
Këto takime kanë qenë të frytshme, aktivitete të nevojshme për këto gra, sidomos në aspektin emocional, dhe gjithashtu ato janë ndarë të kënaqura.
Organizata ka shpërndarë pyetësorë elektronikë tek rreth 60 gra, dhe të dhënat e mbledhura do të përdoren për formulimin e politikave të reja dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Projekti ka arritur të ndërgjegjësojë dhe informojë 48 gra dhe vajza për rrezikun e kancerit dhe rëndësinë e identifikimit të hershëm të simptomave. Një rezultat tjetër është ngritja e vetëdijes së grave për të drejtat e tyre në kujdes shëndetësor cilësor dhe informimi i tyre për të drejtën për trajtim të duhur mjekësor dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
Projekti gjithashtu ka ndikuar pozitivisht tek rreth 100 familjarë dhe të afërm të grave pjesëmarrëse, duke u dhënë atyre një ndjenjë mbështetjeje dhe sigurie.
Nisma e organizatës Have Hope ka kontribuuar në avancimin e barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit, duke adresuar pabarazitë në kujdesin shëndetësor dhe duke siguruar që gratë të kenë qasje të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore. Kjo ka ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve mbështetëse për pacientët me kancer, përfshirë këshillimin, edukimin dhe kontaktin me komunitetin.
Projekti “Grupet Mbështetëse për Gratë e Prekura nga Kanceri i Gjirit” ka qenë një iniciativë jetike për mbështetjen dhe fuqizimin e grave të prekura nga kjo sëmundje, dhe ka arritur të ndikojë pozitivisht në jetën e shumë grave dhe familjarëve të tyre.
Have Hope e realizoi këtë nismë si përfituese e rundit të 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).