GSBGj i bën thirrje KQZ-së t’i përmbahet Ligjit për Barazi Gjinore

Përderisa Kosova po përgatet për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të muajit Shkurt 2021, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të garantojë përfaqësim të barabartë gjinor në listat e zgjedhjeve siç parashihet me Ligjin për Barazi Gjinore.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore i përkujton Komisionit Qendror të Zgjedhjeve obligimin për të siguruar përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave gjatë procesit të zgjedhjeve në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, i cili përcakton që:

Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji.” (Neni 6, paragrafi 7);

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore mbështet deklaratën e Avokatit të Popullit duke theksuar nevojën për një proces zgjedhor i cili bazohet fuqishëm në parimet dhe garancitë e përcaktuara nga ligjet e Kosovës.

Poashtu, pjesëmarrja e barabartë e grave dhe burrave është kusht themelor që institucionet e Kosovës t’i respektojnë plotësisht standardet ndërkombëtare dhe rajonale të reflektuara në Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave dhe të Drejtën Komunitare të BE-së.

Prandaj, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i përmbahet standardit të përfaqësimit të grave prej 50 përqind në listat e zgjedhjeve në pajtim me kushtet e parapara me Ligjin për Barazi Gjinore dhe të mos i certifikojë listat e partive politike që nuk e plotësojnë këtë kusht. Masat e tilla do të sigurojnë përfaqësim të barabartë në vendimmarrje si kusht i domosdoshëm për funksionim më të mirë të një shoqërie demokratike me partitë politike si “mbrojtëse” të demokracisë dhe pjesëmarrjes së grave.

Shënim:

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është një grup i përbërë prej shumë akterëve, i kryesuar nga UN Women.