Me 11 dhjetor, organizata Handikos Mitrovica, në kuadër të projektit “Depresioni tek nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe tek personat me aftësi të kufizuara” mbajti seancën grupore me nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Të pranishme në këtë seancë ishin 18 nëna të këtyre fëmijëve, psikologet dhe stafi i Qendrës Psiko-sociale për Trauma Terapi “Diakonie”, si dhe përfaqësuset nga Rrjeti i Grave te Kosovës (RrGK).
Depresioni përfshinë simptoma të tilla si ngadalësim dhe regresion në të menduar, në lëvizje si dhe në praninë e ndjenjës së pavlefshmërisë, dobësi, ngurrim, pesimizëm, mendime vetëvrasjeje dhe ngadalësim në funksionet fiziologjike si dhe ndjenja e trishtimit të thellë. Një nga shkaqet kryesore të depresionit tek personat me aftësi të kufizuar, sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë, është raportuar të jetë aftësia e kufizuar, gjegjësisht kushtet dhe paragjykimet që rrjedhin nga mjedisi shoqëror.
“Shumë shpesh me stafin e Handikos Mitrovica, kemi biseduar për rëndësinë e seancave psikologjike për trajtimin e depresionit tek personat me aftësi të kufizuara dhe kemi shpresuar që do të gjejmë përkrahje financiare për ofrimin e seancave të tilla,” u shpreh njëra nga psikologet që udhëhiqte seancën. “Poashtu, gjithmonë e kemi theksuar edhe faktin se sa pak mundësi të tilla ofrohen për familjarët që kujdesen për këta persona, gjejgësisht për nënat e fëmijëve dhe të rinjëve me aftësi të kufizuara, të cilave zakonisht iu bie të kujdesen më së shumti për ta. E kemi theksuar se sa e nevojshme është që edhe nënave të ju ofrohen seanca të tilla, që të mundohemi t’i lirojmë ato nga depresioni.”
Pjesëmarrja në seanca të tilla për nënat e personave me aftësi të kufuziuara, pikë së pari është problematike për shkak që ato janë kujdestare të përhershme për fëmijët e tyre dhe nuk kanë se ku ti lënë fëmijët kur duan të marrin pjesë në seanca të tilla apo çfarëdo aktiviteti tjetër jashtë shtëpisë, dhe si rrjedhojë ato lënë pas dore edhe kujdesin ndaj shëndetit të tyre personal fizik dhe mendor.
Andaj, pjesëmarrëseve në këtë seancë iu fol për rëndësinë e shprehjes së emocioneve, me qëllim të lirimit të ngarkesave të tyre mendore, duke synuar mirëqenien e tyre dhe të fëmijëve të tyre njëkohësisht.
Nënat filluan të ndajnë me njëra-tjetren dhe me psikologet përvojat e tyre jetësore.
Përderisa njëra nga nënat pjesëmarrëse tregoi se “përballet me shumë vështirësi duke qenë se e ka vajzën me autizëm dhe është pothuajse e pamundur të bëjë një lëvizje jashtë shtëpisë pa vazjën e saj, pasi që ajo është shumë e lidhur me të”, një nënë tjetër theksoi se “kur e shoh fëmijën tim keq, unë bëhem edhe më keq dhe jeta vështirësohet edhe më shumë.”
E një nënë tjetër theksoi se “fakti që ka filluar kontaktet me organizatën Handikos Mitrovica dhe pjesëmarrja e saj në seancat e takimet e organizuara nga kjo organizatë e kanë ndihmuar shumë “e ndonjëherë kur jam shumë nervoz e në gjendje jo të mirë emocionale dhe nuk mund të vijë këtu, mundohem të kujtojë se çka na kanë këshilluar e mësuar në organizatë dhe arrij të qetësoj veten.”
Gratë pjesmarrëse ishin shumë faleminderuse që ishin pjesmasmarrëse dhe që po kanë mundësi ti shprehin mendimet dhe të marrin këshilla nga nënat tjera të cilat përballen me probleme të ngjashme.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK)
si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).