Gjatë tre muajve të zbatimit të nismës “Shëndeti riprodhues dhe edukimi seksual i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në komunën e Mitrovicës”, Handikos Mitrovica mbajti trajnime, shfaqjeve të filmave si dhe debate të ndryshme me qëllim përmirësimin e njohurive dhe kapacitetet të vajzave e grave me aftësi të kufizuara mbi të drejtat e tyre në kujdesin shëndetësor.
Gjatë muajit tetor dhe nëntor 2021 Handikos Mitrovica mbajti dy trajnime me anëtaret e organizatës për ndërgjegjësimin e vajzave dhe grave me aftësi të kufizuar mbi shëndetin reproduktiv, edukimin seksual, si dhe dallimet ndërmjet gjinisë dhe seksit.
“Infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe parandalimi i tyre”, “Parandalimi i shtatzënive të hershme” dhe “Qasja në institucionet shëndetësore dhe informatat për shëndetin seksual”, janë disa nga temat qe u trajtuan gjatë trajnimit pesë-ditor me vajza
“Këto trajnime janë mundësi e mirë që të marrim shumë njohuri për shëndetin tonë”, u shpreh njëra nga pjesëmarrëset në këtë trajnim.
Në dhjetor 2021, në kuadër të kësaj nisme Handikos Mitrovica mbajti edhe shfaqje të dy filmave me mbi 40 pjesëmarrës. Pas shfaqjes u mbajt edhe debat me institucionet relevante për qasjen në shërbimet shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara në këtë komunë.
Myrvete Hasani, Drejtore e Handikos Mitrovica, Dr. Luljeta Zhubi Drejtore e Spitalit të Mitrovicës dhe Dr. Sanije Klinaku-Nimoni nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë ishin paneliste gjatë këtij debati.
Ngritja e vetëdijes u cilësua si një ndër shtyllat kyçe për garantimin e mbështetjes shoqërore dhe institucionale për personat me aftësi të kufizuara.
Klinaku-Nimoni u zotua që QKMF do të punojë për përmirësimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuara.
“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë ka angazhuar ekipe mobile për kujdes dhe kontrolle shëndetësore për personat që nuk kanë mundësi të shkojnë në Institucionet përkatëse për t’i kryer ato”, tha ajo ndër të tjerash.
Kjo nismë është mbështetur nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës dhe financua nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, si pjesë e nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”.
LEXO EDHE:“Handikos Mitrovica” mban trajnim për shëndetin riprodhues