Stafi në Handikos Mitrovica ka mbajtur një trajnim gjithëpërfshirës mbi Kodin e Etikës, një dokument thelbësor, që përcakton udhëzime të qarta për sjelljen etike brenda një organizate.
Trajnimi u mbajt nga Handikos Mitrovica, organizatë anëtare e Rjetit të Grave të Kosovës (RrGK), në kuadër të projektit “Kodi Etik i Handikos Mitrovica”.
Rita Berisha, hartuese e Kodit Etik, njëherit trajnuese e stafit të organizatës Handikos Mitrovica, theksoi rëndësinë kryesore të kësaj kornize etike. Ajo tha se çdo punonjës brenda organizatës duhet ta kuptojë dhe zbatojë kodin e etikës.
“Ky Kod Etik bazohet në Ligjin e punës, Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, Ligjin mbi barazinë gjinore dhe Kodin penal për rastet e dhunës dhe ngacmimit seksual. Kodi Etik është zhvilluar në përputhje me Direktivën e BE-së mbi balancin punë-jetë. Andaj mendoj që ndryshimet mbi Kodin Etik duhet t’i dijë i gjithë stafi”, tha Rita Berisha.
Ajo konsideron se është shumë e rëndësishme që në të ardhmen të përditësohet rregullorja e punës për të qenë plotësisht në përputhje me Kodin Etik.
Ndërkaq Myrvete Hasani, drejtoreshë e Handikos Mitrovica, tha është shumë i rëndësishëm të mbahet për stafin trajnimi për Kodin Etik, meqë informatat e tilla stafit i mungojnë.
“Unë mendoj se janë rregulla që duhet të përmbahen nga drejtorja e organizatës, menaxhmenti dhe i gjithë stafi. Andaj informatat e tilla na shërbejnë se si të sillemi me të punësuarit, me prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, por edhe me gratë dhe gjithë personat që marrin shërbime nga Handikos Mitrovica.
Në shumicën e rregullave bazë të Kodit Etik, stafi dhe organizata jonë ka qenë e vetëdijshme për rregullat bazë, por tash pas përditësimit të të dhënave jemi njohur edhe me pjesët që janë shtuar,”tha ajo.
Aktiviteti i Handikos Mitrovica është mbajtur falë grantit të përfituar në raundin e 18-të i Fondit të Grave të Kosovës të RrGK-së për mbështetje organizative, financuar nga Fondacioni Sigrid Rausing.