Gjatë muajit shkurt, Organizata e Personave me Aftësi të Kufizuara Fizike – Handikos Prishtina organizoi vizita në terren dhe takime grupore me gratë anëtare të organizatës me qëllim të integrimit të tyre në shoqëri.
Këto aktivitete dhe seancat këshilluese për gjithsej 34 gra dhe vajza me aftësi të kufizuara, u mundësuan falë nismës “Integrimi i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në shoqëri”, mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga UN Women.
Gjatë vizitave në terren, Handikos Prishtina pati mundësi të identifikojë raste të anëtarëve që e kanë të pamundur të integrohen në shoqëri pasi që u mungon shoqërimi dhe asistenca. Kështu, detyrimisht rrinë mbyllur e palëvizur.
“Gratë me aftësi të kufizuara mbeten grupi më i margjinalizuar në shoqërinë kosovare, sidomos ato të cilat jetojnë në zona rurale, me ç’rast izolimi bëhet më i thellë”, u shpreh Mehreme Llumnica, Koordinatore e Projektit.
Në objektin e Handikos Prishtina u organizuan edhe gjashtë punëtori artizanate të udhëhequra nga zn. Nazlie Statovci, për aftësimin e pjesëmarrësve për punëdore, gjë e cila mund të ndikojë në mundësitë e grave për pavarësi ekonomike. Handikos Prishtina po ashtu mbajti edhe ligjërata socio-psikologjike dhe shëndetësore me psikologen Rukije Vllasa.
“Këto takime kanë krijuar një hapësirë të sigurt për të shfaqur brengat e anëtareve, problemet shëndetësore, si dhe sfidat për mungesë te trajtimit dhe ofrimit te shërbimeve te tyre etj.” tha Vllasa.
Aktivitetet e organizuara u vlerësuan shumë edhe nga anëtaret e organizatës dhe pjesëmarrëset e aktiviteteve.
“Përmes komunikimit, shoqërimit dhe angazhimit, këto aktivitete ndikuan drejtpërdrejt në vetëbesim dhe fuqizim për mbrojtjen e të drejtave tona”, u shpreh zn. Naile Ismajli, pjesëmarrëse.
Përveç Handikos Prishtina, përfituese nga raundi i 14-të i FGK-së janë edhe 19 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.