Më 28 janar në Rahovec, Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Hareja ka mbajtur takimin përmbyllës në kuadër të nismës tre mujore “MOS heshtni-Flisni”.
Në takim të pranishëm ishin përfaqësues nga Shtëpia e Sigurtë në Gjakovë, Qendra për Punë Sociale, Policia e Kosovës (PK), si dhe nga RrGK-ja.
Drejtorja Ekzekutive e organizatës, Adelina Paqarizi ka treguar se qëllimi i përgjithshëm i kësaj nisme ishte qasja e duhur dhe e drejtë e viktimave të dhunës në familje, viktimave të abuzimeve seksuale, përkrahja e tyre, si dhe promovimi i të drejtave të grave në Komunën e Rahovecit.
Paqarizi gjithashtu prezantoi të arriturat nga realizimi i kësaj nisme.
Hareja gjatë kësaj periudhe ka mbajtur trajnime, ligjërata dhe takime koordinuese e avokuese individuale me Qendrën për Punë Sociale në Rahovec, me policinë, me Shtëpinë e Sigurtë në Gjakovë, me viktimat për rehabilitimin dhe integrimin e tyre. Qëllimi i këtyre takimeve ishte rritja e bashkëpunimeve me këto institucione si dhe trajtimi adekuat i viktimave.
Paqarizi bëri të ditur që projekti u zgjerua edhe në fshatrat Krushë e Madhe, Ratkoc, Xërxë, ku u mbajtën gjithsej gjashtë ligjërata për vetëdijësimin e grave dhe shoqërisë në tërësi për parandalimin e dhunës dhe rëndësisë së raportimit të saj.
Kjo nismë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).
LEXO EDHE: Fondi i Grave të Kosovës ndau 66,429 euro për 18 organizata anëtare të RrGK-së.