Humanus Vita sfidon stereotipet duke lobuar për përfshirjen e edukatës seksuale në shkolla

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, Humanus Vita ka mbajtur tryezë përmbyllëse të projektit “Përfshirja e edukatës seksuale dhe sfidimi i stereotipeve drejt transformimit të normave gjinore përmes edukimit”.

Ky projekt është realizuar në katër shkolla fillore të Komunes se Drenasit, në observimin e lëndes së Biologjisë.

Përmes këtij projekti është synuar të kuptohet më shumë për tabutë rreth edukimit seksual. Gjithashtu është synuar të ngritet vetëdia e të rinjve për njohjen e trupit të tyre, orientimin seksual, uljen e rasteve të ngacmimeve seksuale dhe sulmeve seksuale, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme si dhe shtatëzanive të padëshiruara.

Valentina Bejtullahu, hulumtuese, ka prezantuar të gjeturat nga hulumtimi katër mujor ku tha se mësimdhënësit janë të pajtimit që lënda e edukatës seksuale të përfshihet si lëndë e veçantë në kurrikulën shkollore. Sipas saj temat më pak të trajtuara mbeten dhuna seksuale dhe ngacmimi seksual.

“Komuna e Drenasit qëndron mirë me cilësinë e arsimit, krahasuar me komunat tjera në Kosovë. Përpos mësimdhënësve janë edhe nxënësit ata që kanë informata dhe janë interaktiv në orët mësimore në lëndën e biologjisë ku trajtohen temat e edukatës seksuale.

Debatet me zyrtarë qoftë me mësimdhënës apo edhe drejtorë të shkollave janë të rëndësishme për të spikatur rëndësinë që edukata seksule duhet të shpjegohet pa paragjykime sociale me mjete të duhura konkretizuese dhe t’ju ipet më shumë hapësirë trajtimit të këtyre temave të cilat ndikojnë për një jetë të shëndetshme tek të rinjtë. Si sfidë në trajtimin e këtyre temave është mungesa e laboratoreve biologjike të vecanta në komunën e Drenasit”, tha ajo.

Doruntina Gashi, koordinatore e projektit në Humanus Vita, tha se projekti ka për qëllim të ndriçojë rrugën drejt një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe të barabartë, duke ngritur nivelin e dijes dhe vetëdijësimit për rëndësinë e edukatës seksuale.

Gashi më tej shtoi se edukimi seksual në vend nuk ekziston si lëndë e veçantë në kurrikulën bërthamë, por është e përfshirë në kuadër të lëndës së biologjisë.

Ndërkaq drejtorja e shkollës “Ali Gashi” në Drenas, Antigona Gashi, rithksoi se rëndësia e takimeve të tilla, ku prezantohen hulumtime lidhur me përfshirjen e edukatës seksuale dhe sfidimin e stereotipeve drejt transformimit të normave gjinore përmes edukimit, janë tejet të rëndësishme.

“Problematikat dallojnë nga shkolla në shkollë, andaj në grupe mund t’i mësojmë ato dhe të japim ide si të bëhet me e mira për nxënësit.

Nxënësit kanë njohuri, sa i përket edukimit seksual, por burimi më i mirë për të marrë informacione të duhura është shkolla. Jo gjithmonë prej rrjeteve sociale mund t’i marrin informatat e sakta. Sot ne mësuam nga të pranishmit në tryezë se në web faqen e Ministrisë së Arsimit ka materiale që do të mund t’i përdorin gjatë shpjegimeve të një ore mësimore të biologjisë sa i përket edukimit seksual”, tha ajo.

Pjesë e tryezës ishin zyrtarë komunalë, drejtor shkollash, mësimdhënës, pedagogë, psikologë, pjesëtarë nga shoqëria civile dhe media.

Humanus Vita e realizoi këtë nismë si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).