Në komunën rurale të Drenasit, ku normat konservatore historikisht shpesh kanë formësuar praktikat shkollore, OJQ-ja Humanus Vita ndërmori një hap të guximshëm për të sfiduar stereotipet e rrënjosura dhe për të promovuar barazinë gjinore përmes arsimit. Iniciativa e tyre u përqendrua te mësimdhënësit e biologjisë së klasës së 8-të dhe drejtorët e shkollave në katër shkolla publike në mjedise urbane dhe rurale. Qëllimi i tyre ishte të vlerësonin se si trajtohet aktualisht edukata seksuale në shkolla, si dhe të ndërtojnë vetëdijen dhe të inkurajojnë ndryshime konkrete brenda shkollave dhe institucioneve.
Një Qasje e Bazuar dhe Gjithëpërfshirëse
Me mbështetjen e plotë të Drejtorisë Komunale të Arsimit përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit, Humanus Vita-s iu dha qasje për të vëzhguar klasat dhe për të intervistuar mësimdhënësit dhe drejtorët. Kjo ofroi njohuri të drejtpërdrejta nga ata që zbatonin kurrikulën. Gjatë javëve në vijim, stafi i Humanus Vita vëzhgoi tetë orë mësimi të biologjisë ku u trajtuan tema të edukatës seksuale, edhe pse tema të tilla janë planifikuar zyrtarisht për semestrin e dytë. Ky fleksibilitet, i dhënë vullnetarisht nga mësimdhënësit, ishte një shenjë e qartë e gatishmërisë së tyre për të përmirësuar mënyrën se si mësohen këto lëndë. Njëkohësisht, u zhvilluan intervista të strukturuara me katër mësimdhënës dhe katër drejtorë të shkollave. Në intervista u eksplorua se si tema të tilla si puberteti, Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST), identiteti seksual dhe normat gjinore po mësoheshin ose shmangeshin, dhe sa trajnim kishin marrë mësimdhënësit për t’i trajtuar ato. Të dhënat zbuluan disa boshllëqe: asnjë mësimdhënës i biologjisë nuk ishte trajnuar në metoda mësimdhënieje të përgjegjshme ndaj gjinisë ose transformuese, ose në edukimin seksual. Për më tepër, gjatë mësimdhënies, disa mësues treguan shenja paragjykimi ndaj çështjeve të lezbikeve, gejve, biseksualëve, transgjinorëve, queerëve, interseksualëve dhe personave të tjerë identifikues (LGBTQI+), duke theksuar një nevojë urgjente për të adresuar stereotipet midis edukatorëve.
Ndërkohë, angazhimi i nxënësve, veçanërisht në mesin e vajzave, ishte i lartë. Mësimdhënësit vunë re se nxënësit, kur u jepej hapësira, bënin pyetje pa hezitim dhe tregonin interesim të madh për informata të sakta dhe të përshtatshme për moshën. Një mësimdhënës vërejti: “Ritmi i jetës dhe informatat që nxënësit marrin në internet e bëjnë thelbësore që ata të marrin edukatë të saktë dhe shkencore në lidhje me sëmundjet seksualisht të transmetueshme, planifikimin familjar, identitetin seksual dhe pubertetin.”
Nga të Dhënat te Avokimi
Pas mbledhjes së informatave, Humanus Vita u angazhua me institucionet lokale. Më 16 nëntor, 20 pjesëmarrës nga qeveria lokale, shoqëria civile, shkollat dhe media u mblodhën për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet. Kjo përfshinte nevojën urgjente për trajnimin e mësimdhënësve, reformën e kurrikulës dhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore, veçanërisht për vajzat dhe nxënësit me aftësi të kufizuara.
Një drejtor i shkollës theksoi: “Unë besoj se edukata seksuale duhet të përfshihet si lëndë e veçantë në kurrikulën shkollore.” Tryeza e rrumbullakët hapi një bisedë më të gjerë rreth transformimit të sistemit aktual. Aktorët kryesorë, siç janë Drejtori i Arsimit, një përfaqësues i komunës dhe Zyrtari i Barazisë Gjinore, shprehën gatishmërinë për të marrë parasysh masa konkrete, duke përfshirë integrimin e edukatës seksuale si lëndë të pavarur ose forcimin e vendit të tij brenda kurrikulës së Biologjisë.
Drejt Ndryshimit të Qëndrueshëm
Në vend që të imponojë ndryshimin nga jashtë, Humanus Vita ndërtoi besim me edukatorët, duke krijuar hapësirë për diskutim të sinqertë. Mësimdhënësit dhe drejtorët i pranuan hapur sfidat me të cilat përballen, jo vetëm në aspektin e kurrikulës, por edhe në infrastrukturë, trajnim dhe mbështetje për barazinë gjinore.
Përmes komunikimit mediatik, duke përfshirë mbulimin nga Radio Kosova, Syri.net dhe Kosova Times, iniciativa e tyre rriti vetëdijesimin publik për rëndësinë e edukimit seksual shkencërisht të saktë dhe gjithëpërfshirës.
Ndërsa transformimit sistemik i nevojitet kohë, iniciativa e Humanus Vita tashmë ka filluar të ndryshojë qëndrimet dhe të nxisë reflektimin institucional. Siç përfundoi një pjesëmarrës: “Në një kohë kur vlerat njerëzore po fillojnë të zbehen, është e nevojshme të futet edukimi moral dhe seksual si lëndë shkollore.”
Iniciativa e Humanus Vita “Përfshirja e Edukimit Seksual dhe Sfidimi i Stereotipeve drejt Transformimit të Normave Gjinore përmes Arsimit” u realizua me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës përmes Fondit të Grave të Kosovës, me financim nga Agjencia Austriake e Zhvillimit dhe Agjencia Suedeze e Zhvillimit, në shumën prej 4,916.00 €, nga gushti deri në nëntor 2023. Iniciativa kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGGK-së mbi Edukimin Transformues Gjinor, i cili synon të riformësojë normat shoqërore përmes të nxënit gjithëpërfshirës dhe të barabartë.