Dhuna me Bazë Gjinore vazhdon të mbetet një prej problemeve më të mëdha me të cilin ballafaqohen gratë dhe vajzat në Kosovë. Një raport i fundit i Policisë së Kosovës tregon se gjatë vitit që lamë pas, pati një rritje të raportimit të dhunës në familje, për dallim me uljet që kishte në shumë vepra tjera penale. Kjo e thekson edhe një herë rëndësinë e adresimit të dhunës me bazë gjinore nga qeveria dhe tërë shoqëria kosovare.
Për të nxitur nismat drejt adresimit të dhunës me bazë gjinore, Rrjeti i Grave të Kosovës po implementon disa aktivitete gjatë këtij viti, e të cilat kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve për viktimat e DhBGj, ngritjen e kapaciteteve të përfaqësuesve të institucioneve me fokus në shërbimet sociale, këshillim ligjor për viktimat e DhBGj, monitorim të rasteve në gjykatave etj. Kështu, të mbështetura nga Agjencia Austriake për Zhvillim, RrGK është duke e zbatuar një projekt 3-vjeçar, së bashku me OJQ nga shtetet e rajonit siç vijon: Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosova.
Më konkretisht përmes projektit “Institucionalizimi i shërbimeve cilësore të rehabilitimit dhe riintegrimit për të mbijetuarit e dhunës II” do të bëhet:
- Ngritja e Kapaciteteve të institucioneve drejt adresimit të dhunës me bazë gjinore përfshirë këtu edhe trajnimet me sektorin publik për të ngritur mundësitë e punësimit për të mbijetuarat e dhunës;
- Shërbime direkte për viktimat duke i këshilluar dhe duke i përfaqësuar ligjërisht;
- Trajnime për stafin e strehimoreve me fokus në adresim të djegies në punë (burnout), traumës dhe ngarkesave tjera emocionale që vinë si pasojë e punës me viktimat e DhBGJ;
- Hulumtime për të vlerësuar nevojat e shteteve të lartpërmendura për mbështetje financiare për ofruesit e shërbimeve;
- Fushata vetëdijesuese dhe rrjetëzim e bashkëpunim ndër-rajonal.
RrGK vazhdon të mbetet i zotuar në luftim të dhunës me bazë gjinore, ashtu siç e parasheh edhe programi strategjik i RrGK që Gratë dhe Vajzat në Kosovë të jetojnë një jetë të lirë nga dhuna me bazë gjinore.