Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës përfundon hartimin e akteve nën-ligjore për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale

 Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, ka mbajtur punëtorinë tre ditore të Grupit Punues Qeveritar për hartimin dhe finalizimin e akteve nënligjore të nevojshme për procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
     Në këtë punëtori morrën pjesë pjesëtarë të Zyrës Ligjore në Zyrën të Kryeministrit dhe Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës,  anëtarë të Grupit Punues Qeveritar, përfaqësues të Zyrës së Presidentes dhe të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, si dhe përfaqësues të organizatave jo qeveritare të cilat ofrojnë shërbime profesionale për këtë kategori të viktimave civile të luftës si dhe përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare.
     Punëtoria kishte për qëllim përpilimin e dokumenteve të nevojshme që do të mundësojnë aplikimin dhe identifikimin e mekanizmave referues deri në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës, duke u bazuar edhe në Protokollin Ndërkombëtar për Dokumentim dhe Investigim si dhe në praktikat më të mira të marra nga rajoni.
     Gjatë kësaj punëtorie të Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës u theksua që është e nevojshme “që ky proces të ofrojë një qasje sa më profesionale, lehtësuese dhe dinjitoze në mënyrë që të motivojë këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë të jenë përfituese të pensionit personal dhe përfitimeve të parapara me ligj”.
     Dokumentet dhe rekomandimet e dala nga kjo punëtori shërbejnë për finalizimin e hartimit të akteve nënligjore të domosdoshme për zbatimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, me të cilin ligjërisht njihet statusi i viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Kjo punëtori u mundësua nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.