Përfaqësuesit e organizatës anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Komitetit të Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK), më 30 mars kanë mbajtur takim me Zëvendëskryeministren e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilja Redzepi, me ç’rast u diskutua për tema të cilat prekin mirëqenien e grave dhe vajzave të verbëra dhe me të pamë të dobësuar në Kosovë.
Përgjatë takimit, KGVK-ja ka ngritur shqetësimet lidhur me mungesën e mbështetjes institucionale për këtë kategori.
Ndër rekomandimet e KGVK-së për përmirësimin e kushteve të grave dhe vajzave të verbëra dhe me pamë të dobësuar janë:
- Projektligji i ri të parashohë mundësinë që gratë dhe vajzat e verbëra të kenë qasje në arsimim, edukim dhe përfshirje sociale, e kështu të mos diskriminohen dyfish në bazë të aftësisë së kufizuar si dhe në bazë të gjinisë;
- Të përfshihen më shumë organizata si grupe punuese për ligjet që prekin interesat e personave të verbër dhe me të pamë të dobësuar, në veçanti grave dhe vajzave të verbëra;
- Personat e verbër dhe shoqëruesit e tyre të lirohen nga pagesa në trafikun urban dhe ndër urban.
Redzepi u shpreh e gatshme për bashkëpunim lidhur me adresimin e këtyre kërkesave si dhe komunikimin e vazhdueshëm për ngritjen e mirëqenies së grave dhe vajzave e grave të verbëra në Kosovë.
Ky takim është në vazhdën e aktiviteteve që KGVK-ja është duke ndërmarrë falë përkrahjes së marrë nga rundi i 16 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i cili për herë të parë ofroi mbështetje organizative për organizatat anëtare, financuar nga Trusti Sigrid Rausing.