Dhuna në familje mbetet një ndër format më të përhapura të dhunës së ushtruar në mbarë botën. Raporti “Mjaft më me arsyetime” i publikuar në vitin 2015, i Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Koordinatorin Kombëtar për Dhunën në Familje, Zëvendës Ministër i Ministrisë së Drejtësisë, tregon që situata në Kosovë ka ndryshuar paksa, mirëpo vazhdon të jetë shqetësuese.
Ministria e Financave siguron buxhetin përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) duke planifikuar fonde vjetore. Strehimoret kontraktohen nga MPMS, në veçanti nga departamenti për politika sociale dhe i familjes, për të ofruar shërbime të strehimores. Sidoqoftë, financimi i qëndrueshëm për strehimoret ende mbetet një sfidë. Duhet pasur parasysh se roli i strehimoreve është vendimtar në drejtim të strehimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të viktimave të dhunës në familje.
Sugjerojmë që Ministria e Financave të planifikon dhe të siguron një buxhet të përhershëm për strehimoret, i cili duhet të jetë i mjaftueshëm që ato të mbulojnë të gjitha shpenzimet, duke përfshirë këshillimin dhe përkujdesjen për viktimat e dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës në baza gjinore si dhe të gjitha shërbimet të cilat u ofrohen atyre gjatë qëndrimit në strehimore.
Koalicioni i Strehimoreve të Kosovës në projekt propozimin e tyre dërguar Qeverisë së Republikës së Kosovës në qershor të vitit 2016, kanë paraqitur një plan buxhetor të dizajnuar për mbulimin e shpenzimeve në bazë të pakos së shërbimeve të strehimoreve, ku janë të përfshira tetë strehimore[1]. Në bazë të këtij projekti të propozuar, të gjitha strehimoret në buxhetin e tyre kanë kalkuluar shumën vjetore prej 60,000.00€ në vit që i bie 5,000.00€ në muaj. Do të thotë, shuma totale që novojitet për vitin 2017 për tetë strehimore është 480.00.000€.
Për shpenzimin e fondeve publike sigurisht që strehimoret do të ofrojnë raporte si dhe gjithashtu do të vendoset një organ mbikëqyrës nga institucioni relevant. në mënyrë që të ketë mbikëqyrje të plotë dhe transparente të shfytëzimit të këtyre fondeve dhe fondeve të tjera të përfituara nga organizatat ndërkombëtare.
Duke marrë parasysh që strehimoret janë ofruesit e vetëm të shërbimeve dhe të përkujdesjes ndaj viktimave të dhunës në familje dhe të formave të tjera të dhunës në baza gjinore në Republikën e Kosovës ne e Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ), sugjerojmë që që Ministria e Financave – të përkrahë Koalicionin e Strehimoreve të Kosovës ne realizimin e plotë të këtyre shërbimeve.
Shënim për mediet
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është grup i përbërë nga shumë palë të interesit, grupi kyq i kryesuar nga UN Women si dhe nëngrupi për Dhunën në Baza Gjinore/Dhunën në Familje i kryesuar nga OSBE Misioni në Kosovë dhe RRGGK. Institucionet në vijim janë anëtarë të GSBGJ-së ose anëtarë të nëngrupit dhe e mbështesin këtë deklaratë publike: Organizatat ndërkombëtare: UN Women, UNDP, UNICEF, UNFPA, OHCHR, OSBE Misioni në Kosovë, OBSH, IOM. Organizatat e Shoqërisë Civile: Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Koalicioni i Strehimoreve, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Kvinna till Kvinna.
[1] 1) Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve – QMG, strehimorja në Prishtinë; 2) Shtëpia e Sigurt – SHES, strehimorja në Gjakovë; 3) Qendra për Mirëqenien e Gruas – QMG Pejë; 4) Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Gruas dhe Fëmijës – SHMDF” LIRIA”, strehimorja Gjilan; 5) Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të qenieve njerëzore – QMVPT, strehimorja në Prishtinë; 6) Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve – SDSF “Kosovë”, strehimorja e fëmijëve në Prishtinë; 7) Qendra për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve – QSGF – P – strehimorja në Prizren; 8) Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës – QMGF “Raba Voca”, strehimorja në Mitrovicë