I nderuar Kryetar i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari,
Gjatë ditës së djeshme mediat kanë raportuar lidhur me gjuhën fyese dhe degraduese që Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Skenderajt, Ramiz Shala, ka përdorur publikisht ndaj asambleistes Vjollca Ramadani.
“Sorrë” e “zagaricë” janë vetëm disa nga termet ofenduese që Shala i ka përmendur kur i është drejtuar Ramadanit përmes një publikimi në rrjetin social Facebook. Një gjuhë e tillë është simptomë e një mendësie e cila është dhe duhet të jetë e papranueshme për përfaqësuesit e institutcioneve tona.
Duke besuar se një gjuhë e tillë nuk duhet të ketë vend asnjëherë në insitutcione publike, dhe se atëherë kur përballemi me të duhet ta dënojmë pa asnjë kompromis, përmes kësaj letre u bëjmë thirrje që të distancoheni nga z.Shala dhe ta shkarkoni atë.
Ju kujtojmë se angazhimi ynë për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë, qoftë në nivel lokal apo atë nacional është i lidhur ngushtë me përpkjekjen e përditshme për të ndërtuar një shoqëri ku gratë dhe vajzat nuk diskriminohen dhe gëzojnë trajtim të barabaratë nga shoqëria dhe institucionet. Andaj, kërkojmë nga ju që të mos toleroni qasje si kjo, që është denigruese për gratë dhe pozitën e tyre në shoqëri.
Misioni i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), rrjet i 158 organizatave, është që të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia. RrGK e realizon këtë mision përmes shkëmbimit të përvojës dhe informatave, partneriteteve dhe rrjetëzimit, hulumtimeve, dhe avokimit.
Sinqerisht,
Igballe Rogova
Drejtore Ekzekutive
Rrjeti i Grave të Kosovës