Leze Qena, e cila jetën dhe veprën e saj artistike ia kushtoi teatrit dhe kulturës shqiptare, gjente kohë gjithmonë të jetë pjesë edhe e aktiviteteve për fuqizimin e grave dhe vajzave.
Si një aktore rolet e të cilës u mirëpritën gjithmonë nga publiku, ajo së bashku me gratë aktiviste frymëzuan shumë gra që të ecin para me ëndrrat e tyre.
Edhe Lezja si vajzë e re kishte shumë ëndrra. Në kohën që vendosi të përcaktohej për profesionin e saj të jetës, në kushtet arkaike të kohës në të cilat familjet shqiptare atëbotë jetonin, dëshira e saj nuk ishte vetëm e pa rëndomtë por edhe vështirë e pranueshme për prindërit dhe të afërmit.
Me vullnetin dhe vendosmërinë personale të një aktoreje të mirënjohur si Lezja, përkundër vështirësive dhe pengesave që i dolën, ajo ia arriti qëllimit dhe dëshmoi se kur njeriu dëshiron dhe është i vendosur të arrijë diçka, arrin atje ku synon. Por sigurisht se ishte i ati i saj ai që e përkrahu në çdo hap.
Lezja dëshmoi gjithmonë elan të fort dhe energji të pashtershme, të cilat siç thoshte ajo vetë, i kishte dhuratë nga natyra dhe trashëgim nga i ati, që sipas aktores edhe ai kishte qenë shumë energjik e punëtor i madh.
Megjithëse për Lezen, pothuajse përherë flitet vetëm si aktore, pasi që këngën ajo në fakt edhe e kishte më tepër hobi se profesion, artistja jonë gjithmonë shprehej se ndoshta mund të ketë gabuar që nuk është marrë me kohë dhe në mënyrë profesionale edhe me këndim, pasi që nëpër koncerte, thotë të ketë kënduar gjithmonë parodi, duke i qëndisur ato edhe me humor të zgjedhur me të cilat jo vetëm që është kënaqur shumë publiku, por edhe i ka pritur gjithmonë këngët e saj me entuziazëm dhe gjithnjë mirë e më mirë.
“Në vitet e ’90-ta, në kohën kur Kosova ishte e okupuar nga regjimi serb, shoqata “Motrat Qiriazi” organizonte në rajonin e Hasit shfaqje për fuqizimin e grave dhe vajzave. Në këto aktivitete disa herë ka marrë pjesë edhe aktorja e madhe Leze Qena, e cila me praninë dhe humorin e saj jepte mesazhe fuqizuese për gratë dhe vajzat përmes shfaqjeve.” thote Igballe Rogova, drejtorja ekzekutive e RrGK-se, e cila gjatë 90’-ve së bashkë me aktoren dhe aktivisten Safete Rogova themeluan shoqatën Motrat Qiriazi.
Leze Qena u lind më 1 mars të vitit 1935 në Prizren dhe ndërroi jetë me 25 mars 2020 në Prishtinë.