Lobi për Barazi Gjinore (Lobi) është mbledhur sot, më 16 maj, për të diskutuar “Sfidat me të cilat përballen nënkryetaret nëpër komuna”.
Përfaqësues të institucioneve, organizatave për të drejtat e grave, si dhe anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) e gra të angazhuara në politikë diskutuan dhe ndanë përvojat e tyre lidhur me pjesëmarrjen e grave në politikë në nivelin lokal.
Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova hapi takimin duke përmendur se misioni i Lobit që nga themelimi ka qenë dhe mbetet përkrahja e grave në institucione, në politikë dhe në procese vendimmarrëse si dhe rritja e solidaritetit ndërmjet grave.
“Është kënaqësi që sot këtu me ne janë nënkryetaret e katër komunave të Kosovës. Këto tregojnë për arritjen e një rezultati të mirë e të një suksesi. Këto gra janë shembull i pjesëmarrjes së grave në politikë”, tha ajo, teksa përmendi gjithashtu punën e bërë në këtë drejtim në kuadër të programit të RrGK-së “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në procese vendimmarrëse”.
Tutje, Mihrije Suka, Nënkryetare e Komunës së Suharekës, fillimisht u shpreh e lumtur që është rritur numri i nënkryetareve të komunave dhe se gratë po marrim pozitat që u takojnë në sferën publike.
“Pozita e grave në Komunën e Suharekës po avancohet nga mandati në mandat, dhe tani ne i kemi katër drejtori që udhëhiqen nga gratë. […] Duhet ta mbështesim njëra-tjetrën, sepse vetëm nëse e përkrahim njëra-tjetrën do të dalim në realizimin e kërkesave tona”, tha ajo.
Po ashtu, Leonora Morina-Bunjaku, Nënkryetare e Komunës së Gjilanit ndau përvojën dhe sfidat që ka hasur përgjatë rrugëtimit të saj në politikë.
“Roli i gruas kosovare u vërejt e u dëgjua fort nëpër të gjitha etapat e shtetit, pa u kursyer asnjëherë. […] Natyrisht, sfida do të ketë gjithmonë, mirëpo duke e mbështetur njëra-tjetrën ne do t’ia dalim gjithmonë”.
Gjatë mbledhjes së sotme të Lobit për Barazi Gjinore, edhe Marqe Tanushi-Selmanaj, ndau me të pranishmet rrugëtimin e saj përgjatë angazhimit në politikën e nivelit lokal.
“Gruaja ka lujtuar rol të rëndësishëm në të gjitha aspeket […] Kur unë, që jam lindur e rritur në një shoqëri patriarkale ja kam dalë mbanë, ju do ta keni edhe më të lehtë- çdo gjë fillon me një hap të vogël”.
Pastaj fjalën e mori, Marigona Lahu, Nënkryetare e Komunës së Podujevës, e cila, ndër të tjerash, shprehi përkushtimin e saj për mbështetjen e vajzave dhe grave për t’u bërë pjesë e proceseve politike dhe vendimmarrëse.
“Një nga sfidat me të cilat përballemi ne sot në Podujevë është fakti se mungon një rrjet i grave, ku gratë mund të mblidheshin e t’i diskutonin problemet e brengat e tyre”, tha ajo, përderisa shtoi se me bashkëpunim e vullnet do të arrihet përmirësimi i pozitës së grave në politikë dhe poste udhëheqëse.
Gjatë këtij takimi u fol për arritjet, sfidat si dhe avokimet e nevojshme që duhet çuar përpara për të rritur përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.
Të pranishmet e vlerësuan këtë takim si mundësi të domosdoshme për të arritur solidaritetin e nevojshëm ndërmjet akterëve që punojnë për të drejtat e grave dhe për rritjen e pjesëmarrjes efektive të tyre në procese vendimmarrëse.
Kjo mbledhje e Lobit për Barazi Gjinore mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.