“Lulishtja” avokon për fuqizimin ekonomik të fermereve në fshatrat e Malësisë së Gollakut

Shoqata e gruas “Lulishtja” mbajti sesione informuese me gra në fshatrat Dabishec, Hajkobillë, Gllogovicë, Keqekollë e Mramor për t’i informuar ato për mundësitë e avokimit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe në Ministrinë e Bujqësisë për t’i krijuar mundësitë për përkrahje të grave fermere të këtyre fshatra të Malësisë së Gollakut. 

Gjatë muajit shtator, Lulishtja mbajti dy trajnime, njërin në fshatin Hajkobillë me 5 gra dhe 3 burra , dhe tjerin në fshatin Gllogovicë me 8 gra për zhvillim të bujqësisë. Tema e të dy punëtorive ishte “Identifikimi i nevojave të grave fermere në këto fshatra”, me ligjëruesen Havushe Bunjaku, fermere. 

Gjatë zbatimit të nismës, Drejtorja e Shoqatës “Lulishtja”, Sadije Dulahu, mbajti takime me zyrtarë në Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe zyrtarë në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës. Këto takime u organizua me qëllim të avokimit për pozitën dhe nevojat e grave fermere në fshatrat e synuara për t’i përkrahur komuna e tyre. 
 
“Kemi marrë  informata rreth përkrahjes së  grave përmes subvencioneve. Ndërsa, nga hulumtimi ynë del se në vitin 2019 nga projektet e realizuara nga komuna e Prishtinës përfituese janë vetëm 40 gra, kurse burra 493.” tha ajo. 

Shoqata “Lulishtja” gjithashtu arriti bashkëpunim në mes grave fermere dhe disa prodhuesve bujqësor për t’i ndihmuar gratë për fillim të bizneseve si dhe shitje të produkteve. 

Falë kësaj nisme të organizatës anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), 71 gra dhe 16 burra kanë arritur të avokojnë në fshatra për të përfituar përkrahje financiare për zhvillim të bizneseve në sektorin e bujqësisë.

Shoqata “Lulishtja” i mbajti këto takim në kuadër të nismës “Avokim për fuqizimin ekonomik të grave fermere në fshatrat e Malësisë së Gollakut”, mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) si dhe financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).