Sot, (14 Prill) në Prishtinë u shënua për herë të parë 14 Prilli – “Dita e të Mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë,” në shenjë solidarizimi me rreth 20 mijë persona të cilët vlerësohen se kane qenë viktima të dhunës seksuale para 24 vjetësh.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) iu bashkua marshit të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), organizatë anëtare e RrGK-së, dhe organizatat anëtare të Platformës “Bëhu Zëri Im,” në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
14 Prilli përkon me datën famëkeqe të vitit 1999 atëherë kur Vasfije Kraniqi, në atë kohë 16 vjeç, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.
Drejtorja e QKRMT Feride Rushiti thotë se ishte kjo datë e vitit 2019 kur edhe zuri fill nisma për shndërrimin e kësaj datë në një ditë memoriale.
“Pikërisht më 14 prill në vitin 2019 bashkë me Vasfijen në ditën dhe vendin ku ajo 20 vjet më parë e kishte përjetuar historinë më të tmerrshme të jetës së saj, nga atje nga vendi i ngjarjes ne e ngritëm zërin për më shumë mbështetje familjare, shoqërore e institucionale për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës. Nga aty buroi fuqishëm zëri jonë që krimet e tmerrshme të luftës të jene pjesë e pandashme e memories sonë kolektive dhe narracionit historik për të kaluarën e dhimbshme,” tha ajo.
Vetë ish deputetja e Kuvendit të Kosvës, Vasfije Krasniqi u shpreh mirënjohëse për shpalljen e 14 Prillit si ditë kur to të ketë solidarizim me viktimat e dhunës seksuale.
“Këtë ditë dua ta shënoj me forcë, guxim, kurajo, t’iu japë forcë viktimave”, tha ajo.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se duhet njohur statusi i viktimave dhe të luftohet stigmatizimi.
“Nuk duhet të lejojmë që këto krime të harrohen apo heshtën! Duhet ta luftojmë stigmën dhe t’i mbështesim viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës! Është përgjegjësi e jona që zërat e tyre të dëgjohen dhe historitë e tyre të mos harrohen kurrë.”
Duke folur në emër të Presidencës së Kosovës, këshilltarja e presidentes, Donika Kadaj Bujupi tha se njohja e statusit të viktimave dhe mbështetja e tyre është parakusht i paqes.
“Të mbijetuarat e dhunës duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit të shoqërisë sonë,” tha ajo.
Marshi filloi në orën 12:00 nga Sheshi “Ibrahim Rugova” për të vazhduar deri tek Monumenti Heroinat, ku edhe u shpalos instalacioni “14 prilli”.