Pallati i Drejtësisë në Hajvali ishte vendtakimi i kolektivit “MARShojmë S’festojmë”, i cili për vitin e shtatë me radhë Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin e shënon me marsh protestues për të kërkuar drejtësi shoqërore e barazi gjinore.
Këtij marshi qytetarë e aktivistë të shumtë iu bashkuan në sheshin “Zahir Pajaziti’, për të vazhduar pastaj me ecje deri te Qeveria e Kosovës, para së cilës jehuan thirrjet për barazi e drejtësi për gratë e dhunuara e të vrara nga burrat.
Sikurse në vitet e kaluara, edhe këtë herë Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) iu bashkua këtij marshi, i cili gjeti përkrahje edhe në disa komuna të tjera të Kosovës.
Pjesë e rëndësishme e këtij 8 Marsi ishte aktiviteti “Këpucët e Kuqe”, i cili u mbajt për herë të parë në Kosovë.
48 palë këpucë të kuqe u vendosën për t’i përkujtuar 48 gratë e vrara nga burrat që prej vitit 2010 në Kosovë, e për të kërkuar drejtësi për to. E kuqja simbolizon gjakun e derdhur të tyre, e gjithashtu edhe dashurinë e kujtimin që ne, si aktiviste feministe ruajmë për to.
“Këpucët e Kuqe” është fushatë kundër dhunës që gratë përjetojnë në familje e shoqëri, e cila filloi në vitin 2009 në Meksikë nga artistja Elina Chauvet, e që prej asaj kohe këpucë të kuqe çdo 8 mars mbushin sheshet e qytetet e botës në kërkim të barazisë e drejtësisë.
Ky vit shënoi vitin e parë që Kosova iu bashkëngjit kësaj nisme, e cila bëhet edhe më kuptimplotë duke qenë se ne iu bashkëngjitëm organizatorëve të saj në Shqipëri, të cilët janë: Shoqata Bash-Art, Shoqata “Eja në teatër”, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AËEN) si dhe Kolektivi Feminist.
Ky aktiviteti gjeti përkrahje të gjerë edhe në mesin e organizatave anëtare të RrGK-së, të cilat e mbajtën atë në qytetet e tyre.
8 Marsi le të jehojë barazi e solidaritet!
**
Për të parë më shumë nga këto organizime vizitoni faqen tonë të Facebookut.