Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar qeverisjen e përgjegjshme gjinore në nivel lokal, këtë javë Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) zhvilloi takime me përfaqësues të komunave për të mbështetur integrimin e perspektivës gjinore në planifikim, buxhetim dhe ofrimin e shërbimeve.
Më 28 korrik, RrGK u takua me përfaqësues të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtorisë së Financave dhe zyrtarën për barazi gjinore në Komunën e Fushë Kosovës. Diskutimet u fokusuan në forcimin e zbatimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në sektorët komunalë, përfshirë bujqësinë, përmes promovimit të qasjes së barabartë të grave dhe burrave në burimet komunale dhe sigurimit që planifikimi dhe ndarjet buxhetore t’u përgjigjen nevojave të ndryshme të grave dhe burrave. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mënyra për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimin e mekanizmave lokalë për avancimin e barazisë gjinore dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe rritjen e përdorimit të të dhënave të ndara sipas gjinisë për të mbështetur vendimmarrjen dhe përcaktimin e prioriteteve komunale.
Takimet vazhduan më 31 korrik me përfaqësues të Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe Qendrës për Punë Sociale te Qafa në Prishtinë. Diskutimi me Qendrën për Punë Sociale u fokusua në nevojën për krijimin e një Fondi Emergjent, i cili u vlerësua si i domosdoshëm për menaxhimin efektiv dhe në kohë të rasteve, si dhe në nevojën për staf shtesë për të menaxhuar më mirë ngarkesën e punës dhe për t’u ofruar mbështetje adekuate përfituesve.
Me Drejtorinë e Mirëqenies Sociale u diskutua për integrimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor në planifikimin dhe buxhetimin e shërbimeve sociale, duke përfshirë vlerësimin e nevojave të grave dhe burrave për shërbime sociale, përdorimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë, nevojat e identifikuara të grave dhe vajzave, përshtatshmërinë e ndarjeve aktuale buxhetore, boshllëqet në shërbime dhe investime nga perspektiva gjinore, si dhe bashkëpunimin ndërmjet drejtorisë, zyrtares për barazi gjinore dhe Drejtorisë së Financave.
Gjithashtu, diskutimi trajtoi qasjen në të dhëna të ndara sipas gjinisë, veçanërisht për gratë që qëndrojnë në strehimore, duke përfshirë edhe numrin e ditëve të qëndrimit të tyre. U diskutua gjithashtu nëse Qendra mban një databazë, si dhe llojet e të dhënave që mblidhen dhe regjistrohen. Ky informacion u konsiderua i rëndësishëm për hartimin e kërkesave më të sakta dhe të mbështetura në dëshmi për buxhetim, të cilat Qendra për Punë Sociale ia paraqet Drejtorisë së Mirëqenies Sociale të Komunës së Prishtinës.
Këto takime u mbështetën nga East-West Management Institute (EWMI), Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, International Partnerships Austria dhe Caritas Switzerland.
