Lina Andeer nga KtK dhe Elmaze Gashi, Drejtoreshë e Bordit të RrGGK dëgjojnë përderisa Christian Geosits nga ADA njofton për mbështjetjen për RrGGK, anëtaret.

Mblidhen anëtaret e RrGGK-së, festojnë takimin vjetor të 10-të me radhë të anëtarësimit

Rreth 160 pjesëmarrëse ishin prezente në takimin vjetor të 10-të të anëtarësimit të Rrjetit të Grupeve të Grave (RrGGK) më 15 dhjetor në Prishtinë, duke u bërë takimi vjetor i anëtarësimit me pjesëmarrje më të madhe që është mbajtur ndonjëherë nga RrGGK. Pjesëmarrëset ishin përfaqësuese të organizatave anëtare të RrGGK-së, partnerëve, donatorëve dhe mediave.

Takimi filloi me muzikë të bukur performuar nga Kori i Grave Lira, organizatë anëtare e RrGGK-së, si dhe me një poemë të shkruar dhe recituar nga aktorja dhe aktivistja Safete Rogova. Pastaj, kryetarja e Bordit të RrGGK-së, Elmaze Gashi hapi mbledhjen. Ajo lexoi letrën e saj, të botuar në Raportin Vjetor të RrGGK-së, e cila reflekton përparimin e RrGGK-së gjatë vitit 2012. Ajo theksoi se pasi që personalja është politike, lufta për arritjen e të drejtave të grave është dhe ka qenë gjithmonë politike, prandaj puna e RrGGK-së është dhe duhet të jetë poashtu edhe politike.

“Arsyeja se pse jemi këtu është për të ndihmuar organizatat të bëhen më të qëndrueshme dhe më të forta në komunitetet në të cilat ato veprojnë”, tha Lina Andeer, përfaqësuese e Kvinna till Kvinna (KtK) partnere dhe përkrahëse e RrGGK-së. Për këtë qëllim, KtK ka mbështetur themelimin e Fondit të Grave të Kosovës të RrGGK-së. Ky fond iu mundëson organizatave që të kenë qasje në grante të vogla, duke mbështetur punën e tyre të vështirë për forcimin e pozitës së gruas në shoqëri.

Përveç mbështetjes së vazhdueshme të KtK-së drejt Fondit të Grave të Kosovës, RrGGK kishte kënaqsinë për të mirëpritur Christian Geosits, përfaqësues i Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), i cili njoftoi fillimin zyrtar të mbështetjes së tyre dy-vjeçare për RrGGK-në.
“Jam shumë i kënaqur që të punoj për të mbledhur fonde për gratë në Kosovë”, tha ai. ADA do të financojë 80.000€ në grante për anëtaret e RrGGK-së gjatë viteve 2013-2014, poashtu edhe për Grupet Avokuese për Barazi Gjinore të mbështetura nga RrGGK në 13 komunat e Kosovës.

Drejtoresha ekzekutive, Igballe Rogova, raportoi mbi punën e RrGGK-së gjatë vitit 2012 si dhe për prioritetet për vitin 2013. Anëtaret e RrGGK-së patën mundësinë që të flasin në lidhje me punën e RrGGK-së si dhe për të shkëmbyer informata në lidhje me aktivitetet e tyre gjatë vitit 2012.

“Dua të falenderoj stafin e RrGGK-së për mbështetjen që kanë dhënë në fusha të ndryshme për ne”, tha Bajramshahe Jetullahu nga Komiteti i Grave të Verbëra, “duke përfshirë seminarin e fundit mbi shkrimin e propozimeve të projektit si dhe ndihma të tjera që RrGGK dhe Igballe Rogova si udhëheqëse e saj kanë dhënë për ne në mënyrë që të përmirësohet gjendja dhe pozita e grave të verbëra në Kosovë.” Ajo pastaj i dha Igballe Rogovës një certifikatë të mirënjohjes.

Pas drekës, këngëtarja e njohur kosovare Rona Nishliu përformoi këngën e saj të re, “Se vetëm zemra flet saktë”. Ajo e kompozoi këtë këngë për fushatën kundër dhunës “Bonu cool, mos bjer shpullë!”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Multimedia dhe Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut.

Pas përformancës, Rona ishe e para që zgjodhi një numër për llotarinë e RrGGK-së, gjatë të cilës RrGGK dha çmime për anëtaret e saj.

Anëtaret që fituan ishin:

  • Sadije Dulahu nga OJQ Lulishtja: një kompjuter tavoline
  • Gjylfidane Morina nga OJQ Ne jemi pjesë të botës: një laptop
  • Advije Gashi nga OJQ Norma: një telefon mobil
  • Valire Buza nga OJQ Lira: dy CD
  • Hasime Tahiri nga OJQ Mundësia: një maus për kompjuter
  • Ola Syla nga OJQ Drita e Krushës: një USB
  • Mimoza Paçuku nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjipatiane në Kosovë: një USB
  • Atifete Aziri nga Legjenda: artikuj të tjerë

RrGGK dha mirënjohje për tre aktivistet e shquara nga rajoni: Delina Fico nga Shqipëria, si një frymëzim dhe mbështetëse e vazhdueshme e rrjetit; Lepa Mlladenoviç nga Serbia si një motër feministe përtej kufijve dhe Dr. Zylfie Gjoni Duraku, Drejtoreshë e organizatës Anima nga Ulqini, Mali i Zi për punën e saj si një aktiviste për të drejatat e grave dhe vajzave.

Së fundi, anëtaret e RrGGK-së zgjodhën katër anëtare të reja të Bordit: Elmaze Gashi, Ariana Qosaj-Mustafa, Nermin Mahmutaj dhe Ola Syla. Në fund të ditës, anëtaret e RrGGK-së gjithashtu paraqitën vlerësimet e tyre për RrGGK-në dhe punën e saj në vitin 2012, së bashku me dy anketa për organizatat e tyre dhe hapat e ardhshëm respektivisht pas Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.

Takimi përfundoi me një tortë të madhe të dekoruar me fishekzjarre, duke festuar takimin vjetor të 10-të të anëtarësimit të RrGGK-së. Anëtaret kishin mundësinë për rrjetizim, të shkëmbejnë dhe të diskutojnë përvojat e tyre.