Për herë të shtatë, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) ka organizuar Festivalin FemArt – festival rajonal për artiste dhe aktiviste, që u mbajt në Prishtinë gjatë datave 10 -16 Qershor.
Këtë vit, Festivali është mbajtur me moton “Me Liri Kundër Marres” (ang: Freedom vs Shame) për t’i inkurajuar gratë të marrin zotësi mbi jetën e tyre, duke promovuar një jetë dhe shoqëri pa paragjykime. Motoja e FemArt-it ka pasur për qëlim të fuqizojë të gjitha gratë pa dallim.
FemArt solli në kryeqytet rreth 200 artiste dhe aktiviste nga Kosova, rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, si dhe angazhoi 30 vullnetarë të rinj nga të gjitha komunitetet e Kosovës.
Përveç muzikës dhe poezisë, pjesë e Festivalit ishin edhe disa panele diskutimi me temat si: “Gratë artiste në vendimmarrje”, “Promovueset e reja të paqes nga rajoni ”, “Dialogu ndër gjenerata i aktivizmit feminist në ish-Jugosllavi”, e të tjera.
Gjatë këtyre shtatë ditëve aktivistet dhanë mesazhin e Festivalit se gratë dhe vajzat duhet të jenë të lira, të jetojnë si të duan dhe të marrin vendime përtej asaj që nga rrethi patriarkal konsiderohet si “marre”.
Festivali Femart ishte pjesë e nismës së 20 aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.