Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) filloi procesin e institucionalizimit të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) për një transparencë dhe përgjegjësi më të madhe gjinore sa i përket buxhetit dhe shpenzimit të parasë publike.
Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor paraqet integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe vlerësimit të buxhetit duke e bërë këtë proces më efikas dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Duke qënë se Ministria e Financave, përmes Qarkoreve Buxhetore, si dhe Ligji për Barazi Gjinore 05/L-020, i obligojnë organizatat buxhetore ta institucionalizojnë BPGj-në në dokumentet e tyre buxhetore, RrGGK, përpos tjerash, këtë vit ka filluar bashkëpunimin me MBPZhR-në për ta ndihmuar në këtë proces.
Me 16 shkurt, RrGGK së bashku me MBPZhR organizuan një punëtori mbi konceptet bazike se çfarë është BPGj-ja, si hap i parë i bashkëpunimit me Ministrinë.
Fëllanza Balaj Kurtishaj, Drejtoreshë e Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, në fjalën hyrëse u shpreh: “Ne na obligon Ligji i ri për Barazi Gjinore që ta inkuadrojmë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. Ne falenderojmë shumë Rrjetin e Grave për këtë mbështetje të ofruar”.
Nicole Farnsworth, Menaxhere e Programeve dhe UdhÑ‘heqÑ‘se e Hulumtimit në RrGGK, qartësoi: “Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor nuk kërkon domosdoshmërisht buxhet shtesë, nuk kërkon ndarje 50% me 50% të buxhetit, dhe nuk është vetëm për gra. Përfitimet që vijnë nga BPGj-ja ndihmojnë në zvogëlimin e pabarazive, efektivitetin e ndarjes së mjeteve, raportimin më të mirë tek Ministria e Financave, dhe rritjen, prosperitetin e zhvillimin ekonomik.” Pjesa e dytë e punëtorisë ishte e ndarë për ushtrime praktike mbi vënien në provë të njohurive të mësuara sa i përket analizës gjinore në paga dhe meditje, subvencione dhe transfere, dhe politika.
Drejtorët dhe zyrtarët e Ministrisë veçse kishin nisur procesin e institucionalizimit të BPGj-së me mbledhjen e të dhënave të ndara sipas gjinisë nga departamentet e tyre përkatëse.
“Nga subvencionet që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i ka dhënë në vitin 2016, ka pasur shumë pak gra përfituese ”, theksoi Bahrije Simnica, Udhëheqëse e Divizionit për Buxhet dhe Financa.
Diskutimet dhe interaktiviteti në pjesën e dytë të punëtorisë nga drejtorët dhe zyrtarët e Ministrisë ishin mjaft premtues në punën e mëtejshme të kësaj Ministrie për të zvogëluar pabarazitë ekzistuese. RrGGK do të vazhdojë të ofrojë ndihmë teknike për njësitë e Ministrisë në javët në vazhdim me qëllim që idetë që dolën nga diskutimi të realizohen.
Mbështetja nga RrGGK për MBPZhR financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).