Moravski Biser ngrit vetëdijen e grave për qasje në shërbime shëndetësore

Shumë gra nga komuna e Parteshit nuk kanë pasur informacionet e duhura për qasjen në shërbimet shëndetësore në institucionet publike.

Andaj, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, Moravksi Biser, po përpiqet që përmes trajnimeve të ngrisë vetëdijen e grave për të drejtën në qasje në shërbimet shëndetësore në vendbanimet e tyre apo në qytetet më të afërta.

Të premten më 1 shtator, kjo organizatë mblodhi 12 gra të komunitetit serb për t’i trajtuar këto çështje në kuadër të nismës së mbështetur nga RrGK “Kujdesi shëndetësor i barabartë për të gjithë” .

Dragana Petrović, zëvendës drejtore e organizatës Moravski Biser tha se 15 gra anëtare në këtë organizatë, si dhe vullnetare tjera brenda organizatës, vazhdimisht mbajnë takime për t’i informuar vajzat dhe gratë më shumë lidhur me marrjen e shërbimeve shëndetësore si dhe në rastet ku mendohet se atyre iu shkelen të drejtat.

“Sa i përket pjesëmarrjes është njëjtë e rëndësishme pasi po takohemi dhe po trajtohen tema të reja dhe kjo kontribuon në edukimin e grave dhe forcimin e rolit të gruas, për shkak se njohuritë e reja gjithmonë kontribuojnë në këtë drejtim. Shumë pak i dinë gratë të drejtat në qasje shëndetësore, sidomos për shkak se tek ne ekzistojnë dy sisteme dhe janë të çorientuara në sistem shëndetësor. Në Komunën e Parteshit nuk ekziston sistemi primar shëndetësor andaj gratë nuk e dinë se cila është adresa e saktë se ku të drejtohen”, tha ajo.

Sipas Moravski Biser, shumë gra në komunën e Parteshit thonë se nuk e kanë vizituar pothuajse asnjëherë gjinekologun. Pas sqarimit se çdo gjashtë muaj duhet të vizitohet gjinekologu, kanë filluar ta bëjnë një gjë të tillë.

Sevdije Musliu tha se trajnimet e tilla janë më se të nevojshme për shkak se gratë serbe nuk i njohin ligjet e shëndetësisë.

“Unë si trajnere i informoj për të gjitha të drejtat që ato i kanë në sistemin shëndetësor. Nuk i dinë fare të drejtat e tyre. Kur kam marrë pjesë për herë të parë si trajnere asnjë informatë nuk e kanë pasur. Me kohë kanë filluar t’i mësojnë të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj. Tash gratë serbe e vizitojnë spitalin e Gjilanit, dhe informatat që i marrin në trajnime kanë të bëjnë edhe me atë nëse iu shkelen të drejtat e tyre, ku duhet të raportojnë”, tha ajo.

Këto trajnime e kanë ndihmuar Vericën e cila thotë se para se të bëhej anëtare e kësaj organizate gjithmonë shërbimet shëndetësore i ka marrë në sistemin privat.

“Tash nëse kam nevojë apo ndonjë problem shëndetësor shkoj në sistem publik edhe e di ku duhet të drejtohem. Prej trajnimeve kam mësuar që duhet vazhdimisht të shkoj e të bëj kontrolle rutinore. Kemi bërë edhe mamografi, me mamograf mobil, pra kam përfituar shumë”, tha ajo.

Moravski Biser e realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).