MWAHR avokon për buxhetim të përgjegjshëm gjinor në komunën e Mitrovicës së Jugut

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, Asociacioni i Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (MWAHR), ka avokuar për buxhetim të përgjegjshëm gjinor në komunën e Mitrovicës së Jugut. Gjatë konsultimeve publike për buxhetin e vitit 2024 dhe për parashikimet për 2025/2026, gratë e ftuara nga MWAHR adresuan në takim çështjet që prekin drejtpërdrejt gratë dhe vajzat.

Kërkesat e grave për institucionet shëndetësore përfshijnë ngritjen e një qendre këshillimi për menopauzën, funksionalizimin e shërbimeve të mamografisë dhe kontraktimin e radiologëve për zbulimin e hershëm të kancerit.

Gratë sipërmarrëse kanë kërkuar uljen e taksave për bizneset e vogla, si rrobaqepësia, parukeria, bujqësia, bletaria, prodhimi i ushqimeve tradicionale etj. Ato gjithashtu avokuan për norma më të ulëta të interesit për kreditë e biznesit dhe krijimin e një fondi të dedikuar për të mbështetur gratë sipërmarrëse përmes bashkëpunimit komunal me bankat.

Kërkesat shtesë përfshijnë harmonizimin e ligjeve të trashëgimisë dhe kriteret e subvencionimit për gratë që nuk kanë pronë, planifikimin e subvencioneve specifike për bizneset në pronësi të grave, krijimin e një kooperative për punësimin e viktimave të dhunës në familje dhe ofrimin e trajnimeve për zyrtarët komunalë për parandalimin e dhunës. Në këtë kuadër u theksua nevoja e bashkëpunimit me OJQ-të për të ofruar këto trajnime.

Gjithashtu u kërkua që ndarja e buxhetit për grante për grupet e grave të shoqërisë civile të rritet krahas rritjes së shumës së granteve.

Në kërkesë u përfshinë edhe nevojat e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas për hapjen e bizneseve në Mahallën e Romëve për të punësuar gra nga këto komunitete.

Ditë më parë, Rjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka nënshkruar një kontratë me organizatën anëtare, MWAHR e cila do të punojë në nismën për angazhimin e burrave, grave, vajzave dhe djemve si partnerë të plotë dhe të barabartë në planifikimet, programimet dhe buxhetimet qeveritare në kuadër të projektit “Buxhetimi gjinor mjet transformues buxhetor për institucione komunale”.

Kjo nismë është pjesë e aksionit të Rrjetit të Mbikëqyrësve të Buxhetimit Gjinor, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).